Shëndetësia

3 ushqime që duken të shëndetshme, por nuk janë të tilla

Në një kohë kur raftet e supermarketeve janë të mbushura me produkte të etiketuara si “me shumë proteina”, “natyrale” apo “të shëndetshme”, zgjedhja e ushqimeve vërtet të dobishme për organizmin është bërë gjithnjë e më e vështirë. Shumë produkte që krijojnë përshtypjen e një alternative të shëndetshme mund të përmbajnë sheqerna të shtuara, yndyrna të ngopura dhe përbërës të përpunuar që ndikojnë negativisht në shëndetin e zemrës.

Duke folur për Business Insider, kardiologia Dr. Kyla Lara-Breitinger nga Klinika Mayo thekson se zgjedhjet e përditshme ushqimore ndikojnë drejtpërdrejt në rrezikun afatgjatë për sëmundje kardiovaskulare, përfshirë infarktin dhe goditjen në tru.

Sipas saj, disa ushqime që konsumohen gjerësisht si “të shëndetshme” mund të favorizojnë rritjen e kolesterolit dhe të dëmtojnë shëndetin e zemrës.

1. Pijet proteinike të gatshme

Pijet proteinike janë kthyer në një zgjedhje të zakonshme për shumë njerëz, sidomos pas aktivitetit fizik. Megjithatë, shumë prej tyre përmbajnë sasi të larta sheqeri, të krahasueshme me pijet e gazuara, ndërsa versionet pa sheqer shpesh përmbajnë ëmbëlsues artificialë.

Sipas ekspertes, problemi nuk qëndron te proteinat, por te niveli i lartë i përpunimit të këtyre produkteve. Si alternativë rekomandohen burime natyrale të proteinave, si edamame ose ushqime të tjera të plota, që ofrojnë edhe fibra dhe antioksidantë.

2. Granola e paketuar

Granola konsiderohet shpesh si një zgjedhje ideale për mëngjes, por jo të gjitha produktet në treg janë njësoj.

Shumë versione komerciale përmbajnë sasi të konsiderueshme sheqeri dhe yndyrnash të shtuara për të përmirësuar shijen, ndërsa procesi i përpunimit mund të ulë përmbajtjen e fibrave.

Ekspertët sugjerojnë të zgjidhen alternativa më natyrale, si arrat dhe frutat, ose të përgatitet granola në shtëpi për të kontrolluar përbërësit.

3. Vaji i kokosit

Edhe pse shpesh promovohet si një alternativë e shëndetshme, veçanërisht në dietat vegane, vaji i kokosit përmban nivele të larta yndyrnash të ngopura.

Përdorimi i shpeshtë i tij mund të ndikojë në rritjen e kolesterolit, paralajmëron kardiologia. Për më tepër, vaji i kokosit nuk gjendet vetëm si vaj gatimi, por përdoret edhe në shumë produkte të përpunuara, si bare energjie dhe ushqime të lehta që reklamohen si të shëndetshme.

Nëse nivelet e kolesterolit janë në rritje pa një shkak të qartë, ekspertët këshillojnë të kontrolloni etiketat e produkteve dhe të shihni nëse vaji i kokosit është bërë pjesë e përditshme e dietës suaj.

Të Ngjashme