Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë, nga të cilat 5 vijojnë aktive dhe 3 mbahen nën kontroll, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse.
Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 90 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Dajt, Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatra e Priskës është nën kontroll.
Në Lufaj, Mirditë, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët dhe forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen.
Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Tërbun–Gjegjan–Gojan, Pukë, situata në sipërfaqet pyjore të Tërbunit është përmirësuar, ndërsa vatrat në Gjegjan dhe Gojan vijojnë aktive.
Gjatë operacionit është evakuuar një familje, ndërsa ndërhyrja e forcave ka shmangur rrezikun për banesën.
Sot operacioni mbështetet nga 40 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, raportojnë mediat shqiptare.
Në Gjorm të Sipërm, Malësi e Madhe, vijon puna për shuarjen e vatrës së riaktivizuar, ku janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse dhe 6 efektivë të MZSH-së.
Në Tunjë të Re, Gramsh, strukturat vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, Gurë-Lura mbetet nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë Helmes vijon puna e forcave operacionale.
Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
