Lajme

​36-vjetori i Deklaratës së 2 Korrikut, Haxhiu e Kurti vlerësojnë aktin historik

Krerët institucionalë në detyrë kanë vlerësuar rëndësinë historike të delegatëve të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar Deklaratën Kushtetuese si një nga aktet më të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetësisë.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se Kosova e asaj kohe kishte shumë pak hapësirë veprimi, por nuk pranoi të trajtohej si krahinë e Serbisë.

Sipas saj, përmes Deklaratës së 2 Korrikut, Kosova u përpoq të fliste në emër të vet dhe të kërkonte liri, e jo privilegje politike.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi Deklaratën e 2 Korrikut 1990 si shpallje normuese dhe juridike të Republikës së Kosovës. Ai tha se ky akt, i miratuar në Prishtinë dhe i pasuar nga zhvillimet e mëvonshme kushtetuese e politike, shënoi fillimin e republikës së rezistencës dhe hodhi themelet e shtetësisë së Kosovës.

“Pa Republikën e Kosovës të vitit 1990 dhe aktet e tjera pasuese, nuk do ta bënim pavarësinë në vitin 2008”, deklaroi Kurti, duke vlerësuar se rrugëtimi drejt shtetit të pavarur u ndërtua mbi vendimet dhe sakrificat e asaj periudhe historike.

Të Ngjashme