Lajme

5 vatra zjarri aktive në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes del me detaje për situatën

Nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, strukturat e angazhuara në operacionet e emergjencave civile menaxhuan gjatë ditës së sotme (5 korrik) 16 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, por janë vënë nën kontroll, ndërsa ekipet në terren po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve.

Operacionet u zhvilluan në zonat Hajdaraj/Synej (Kavajë), Drizë–Peshtan (Fier), Tale (Lezhë), Ulën (Elbasan), Divjakë dhe në vatra të tjera, ku u angazhuan 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, dy helikopterë, 30 efektivë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Në aksion morën pjesë gjithashtu Policia e Shtetit, FNSH, Shërbimi Pyjor, strukturat vendore të emergjencave civile dhe shërbimet shëndetësore.

Ministria e Mbrojtjes shprehu mirënjohje të veçantë për pilotët dhe ekuipazhet e helikopterëve të Forcave të Armatosura, si dhe për efektivët që operuan nga toka në kushte të vështira, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në menaxhimin e situatës.

Falënderime u përcollën edhe për zjarrfikësit e bashkive Fier, Kavajë, Lezhë, Kurbin, Elbasan, Divjakë, Rrogozhinë, Lushnjë, Durrës dhe Kamëz, të cilët, në bashkëpunim me të gjitha strukturat operacionale, vepruan me profesionalizëm dhe përkushtim në mbrojtje të jetës, pronës dhe mjedisit.

Të Ngjashme