Në 621-vjetorin e lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, nga pasaardhësi i tij u kërkua të punohet për bashkimin e të gjitha territoreve shqiptare.
Në një organizim festiv, nga Organizata “Shqiptaria”, Loris Kastrioti-Skënderbeu tha se Shqipëria dhe Dardania kanë qenë gjithmonë të mëdhe dhe bota duhet të jetë në dijeni për këtë.
Kastrioti: Të vazhdojmë të punojmë për bashkimin e të gjitha territoreve shqiptare
“Sot festojmë me ditëlindjen e Gjergj Kastriotit, paraardhësit tim. Përpara monumentit të heroit tonë, ju përshëndes të gjithëve dhe falënderoj organizatorët. Prania juaj tregon gjithë dashurinë. Të vazhdojmë të punojmë për bashkimin e të gjitha territoreve shqiptare, sepse Shqipëria dhe Dardania kanë qenë gjithmonë të mëdha dhe e gjithë bota ta pranojë këtë”, tha ai.
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Gegë Lleshi, tha se Skëndërbeu la trashëgim unitetin.
Lleshi: Ai la trashëgim unitetin përtej çdo dallimi
“Figura më e ndritur e historisë sonë kombëtare dhe simbol i pavdekshëm i qëndresës shqiptare, Skënderbeu nuk është thjesht një kapitull i historisë, është një histori e gjallë, një frymë që ka kaluar shekuj. Ai arriti të bëj atë që është e pamundur: t’i bashkojë princat shqiptarë kundër Perandorisë osmane. Ajo që bëri të pavdekshëm është vizioni i tij për liri, dinjitet dhe unitet. Ai na mësoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me vendosmëri, besim të palëkundur me kauzën tonë të drejtë. Sot kur kujtojmë atë, nuk shohim pas vetëm një histori, por shohim përpara, ai la trashëgim unitetin përtej çdo dallimi”, tha ai.
Ndërsa, konsulli në Ambasadës e Shqipërisë në Kosovë, Franccesk Fusha, shtoi se vlerat që la Skënderbeu udhëheqin edhe sot drejt vizionit të përbashkët evropian.
Fusha: Mesazhi i Skënderbeut mbetet edhe sot: liria kërkon guxim, uniteti vullnet e përkushtim
“Gjergji nuk është vetëm një figurë e historisë sonë kombëtare. Ai është kujtesë e gjallë e asaj që jemi dhe mund të jemi kur qëndrojmë bashkë si dëshironte ai. Ai është më shumë se një strateg dhe burrështetas. Simbol i qëndresës, besimit dhe dinjitetit njerëzor. Për më shumë se 6 shekuj mesazhi i tij mbetet edhe sot: liria kërkon guxim, ndërsa uniteti vullnet e përkushtim. Këto janë vlera që vazhdojnë të na udhëheqin edhe sot drejt vizionit të përbashkët evropian që ai i nisi i pari”, shtoi ai.
Kryetari i Këshillit organizues, Basri Beka, tha se ky organizim ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe kujtesën e historisë shqiptare.
Beka: Qëllim ngritja e vetëdijes dhe kujtesës së historisë shqiptare
“Ndihem i nderuar për tre vite jam kryetar i Këshillit organizativ, ku për qëllim si shoqatë kemi ta ngrisim vetëdijën dhe kujtesën historike shqiptare. Të mos harrojmë origjinën tonë, nga jemi, nga kemi ardhur, ta ruajmë kulturën dhe traditën tonë nga imponimet e huaja”, tha Beka.
Anëtari j Këshillit organizues, Qëndrim Kryeziu, bëri të ditur se në vitin 2027 në këtë ceremoni do të jetë i pranishëm një nga yjet më të mëdha të Evropës dhe botës shqiptare, pa përmendur emra.
Kryeziu: Vetëm të bashkuar tregojmë se jemi të unifikuar dhe jemi një
“Vitin e ardhshëm do të kemi një mundësi të gjithë ata që nuk kanë parë, një nga yjet më të mëdha të Evropës dhe botës shqiptare, ku do ta kemi në mesin tonë. Ju ftoj që të gjithë së bashku të festojmë, të jemi të bashkuar dhe të jemi një. Vetëm të bashkuar tregojmë se jemi të unifikuar dhe jemi një”, tha Kryeziu.
Ai gjithashtu bëri të ditur se shtatorja e Adem Jasharit do të jetë në njërin nga sheshet e Romës, falë familjes falë familjes së Loris Kastriotit.
“Shtatoren do ta kemi në njërin mga sheshet e Romës falë familjës së Lorisit”, tha Kryeziu.
