Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ngritur dyshime për ndikime të jashtme në protestat kundër qeverisë së tij, duke pretenduar se pakënaqësitë e studentëve dhe qytetarëve mund të mos jenë arsyeja e vetme e mobilizimit.
Duke iu referuar një droni me eksploziv, i cili sipas tij kishte për cak Kryeministrinë, Rama ka folur për një “dorë të huaj”, pa i bërë publike në këtë deklaratë prova që do ta vërtetonin këtë pretendim.
Ndërkohë, protestat në Shqipëri po vazhdojnë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka vendosur karrige para godinës së Kryeministrisë, duke u bërë thirrje studentëve që të ulen dhe të zhvillojnë një dialog me të. Përmes kësaj nisme, Rama synon të hapë një kanal komunikimi me protestuesit dhe të diskutojë kërkesat e tyre.
Megjithatë, ftesa e kryeministrit nuk po pritet pozitivisht nga studentët, të cilët po e kundërshtojnë atë dhe po kërkojnë që shqetësimet e tyre të marrin përgjigje konkrete. Për protestuesit, dialogu nuk duket të jetë i mjaftueshëm pa hapa konkretë dhe zotime të qarta nga ana e qeverisë.
Përplasja mes thirrjeve të Ramës për dialog dhe qëndrimit kundërshtues të studentëve tregon se distanca mes palëve mbetet e madhe.
Ngjela: Kështu thoshte edhe Enver Hoxha: Është ‘dora e huaj’, kur ai dështonte

Spartak Ngjela
Në lidhje me këtë çështje, avokati Spartak Ngjela, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tërheq një paralele mes retorikës së Edi Ramës dhe asaj që, sipas tij, përdorte dikur diktatori Enver Hoxha.
“Kështu thoshte edhe Enver Hoxha: Është ‘dora e huaj’, kur ai dështonte”.
Ai ka shtuar, se momentalisht alternativë prej ‘lideri’ nuk ka në Shqipëri.
“Nuk e di… Unë them se jo…”, tha ai.
Kapiti: Nuk ka “dorë të zezë” prapa protestuesve që kërkojnë largimin e kësaj qeverie të korruptuar

Skënder Kapiti
Kurse, analisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti, kritikoi ashpër deklaratat e Edi Ramës për një “dorë të huaj” pas protestave, duke e cilësuar qeverisjen e tij si antikombëtare dhe të zhytur në korrupsion.
Ai kritikoi qëndrimet e Ramës ndaj Kosovës dhe mbështetjen e tij për nismën “Open Balkan”, ndërsa pretendimet për ndikime të jashtme i konsideroi përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për pakënaqësinë qytetare.
“Rama ka të drejtë kur thotë se pas këtyre protestave qëndron “dora e huaj”, sepse armiqve të shqiptarëve u intereson që në Shqipëri të ketë një qeveri dhe një kryeministër antikombëtar, një qeveri që ua bën jetën skëterrë dhe të padurueshme shqiptarëve, siç është qeveria e Edi Ramës.
Pra, Rama po thotë një të vërtetë. Dhe kjo e vërtetë është se ai e di më mirë se kushdo se si qeverisja e tij, e cilësuar si një nga më të korruptuarat në Evropë, ka punuar dhe i ka nxjerrë në ankand e në shitje trojet shqiptare; se si ky kryeministër deshi, së pari, ta ndante dhe ta copëtonte Kosovën; se si, për veriun e Kosovës, deklaroi se është tokë e askujt; se si Kosovën e shikonte me sytë e Beogradit; dhe se si u bë pjesë e projektit antishqiptar dhe antikosovar të “Open Balkan”.
Ky është kryeministri që është cilësuar edhe nga gazetarë të huaj si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit. Ky është kryeministri nën qeverisjen e të cilit, sipas kritikëve të tij, u ngrit një sistem korrupsioni, narkoshteti dhe “Kanabistani”, u shpreh ai për “Bota sot”.
Kapiti thekson se protestat janë shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisjes së Edi Ramës dhe jo domosdoshmërisht rezultat i ndërhyrjeve të jashtme.
Ai vë në pikëpyetje pretendimet e kryeministrit, duke theksuar se kërkesat për ndryshim mbështeten edhe nga përfaqësues të elitës akademike.
Sipas tij, në vend që protestuesit të akuzohen për ndikime të huaja, përgjegjësia duhet të kërkohet te problemet e qeverisjes dhe akuzat për korrupsion.
“Nuk ka “dorë të zezë” prapa protestuesve, kur më e zezë se kjo qeveri nuk ka, sidomos kur një pjesë e madhe e zyrtarëve të saj, përfshirë ministra, zëvendëskryeministra, zëvendësministra dhe drejtorë, janë përballur me arrestime, burgosje apo akuza për korrupsion.
Nuk ka “dorë të zezë” prapa protestuesve që kërkojnë largimin e kësaj qeverie të korruptuar. Nuk ka “dorë të zezë” as kur elita akademike kombëtare u del në mbështetje protestuesve që kërkojnë ndryshim. Vetëm një mendje e errët, e ligë dhe djallëzore mund të krijojë fantazma të tilla kundër protestuesve patriotë” – përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.
