Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali Alexus G. Grynkewich, ka deklaruar se përmirësimi i vazhdueshëm i situatës së sigurisë në Kosovë po krijon mundësi për optimizimin e forcës paqeruajtëse të NATO-s, duke theksuar njëkohësisht se Aleanca mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit në vend.
“Gjatë viteve të fundit, situata e sigurisë në Kosovë ka shënuar përmirësim të vazhdueshëm. Si pasojë, në janar NATO pezulloi dislokimin e forcave rezervë për KFOR-in, duke i dhënë fund një periudhe mbi dyvjeçare rotacioni të vazhdueshëm. Duke qenë se stabiliteti mbetet i qëndrueshëm, Aleanca do të ndryshojë pozicionimin dhe gradualisht do të rregullojë madhësinë e forcës gjatë vitit të ardhshëm”, shprehet Grynkewich.
Lidhur me këtë, ish hetuesi Agim Rexhepi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e gjeneralit të NATO-s për rishikimin gradual të vendosjes dhe madhësisë së KFOR-it në Kosovë nuk duhet parë si tërheqje e NATO-s, por si shenjë pozitive.

Agim Rexhepi
Rexhepi ka potencuar se NATO mbetet plotësisht e angazhuar për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe se çdo ndryshim i paralajmëruar ka karakter operacional, jo strategjik apo tërheqës.
“Deklarata e gjeneralit të NATO-s, Alexus G. Grynkewich, për rregullimin gradual të pozicionimit dhe madhësisë së forcave të KFOR-it në Kosovë duhet të interpretohet para së gjithash si një vlerësim pozitiv i progresit të sigurisë që është arritur në vend gjatë viteve të fundit. Ky nuk është një sinjal i tërheqjes së NATO-s nga Kosova, por një tregues se Aleanca vlerëson se situata në terren është më e qëndrueshme dhe se institucionet e sigurisë kanë rritur kapacitetet e tyre për menaxhimin e sfidave të ndryshme.
Është shumë e rëndësishme të theksohet se NATO ka konfirmuar qartë se mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë. Prandaj, ndryshimet e paralajmëruara kanë të bëjnë me optimizimin operacional të forcave dhe jo me ndryshimin e mandatit apo të angazhimit strategjik të Aleancës në rajon”, ka theksuar ai.
Tutje, Rexhepi është shprehur se ulja graduale e KFOR-it është shenjë se situata në Kosovë është përmirësuar dhe ka më shumë besim te institucionet vendore, sidomos Policia.
“Nga një këndvështrim i sigurisë, ky vendim paraqet edhe një dëshmi të besimit që partnerët ndërkombëtarë kanë krijuar ndaj institucioneve të Kosovës, veçanërisht ndaj Policisë së Kosovës, e cila gjatë viteve të fundit ka dëshmuar profesionalizëm të lartë në menaxhimin e situatave komplekse, përfshirë sfidat në veri të vendit. Veprimet e suksesshme kundër grupeve kriminale, lufta kundër kontrabandës dhe ruajtja e rendit kushtetues kanë kontribuar në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
Natyrisht, ky zhvillim rrit edhe përgjegjësinë e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Sa më shumë që situata konsiderohet stabile nga partnerët ndërkombëtarë, aq më e madhe bëhet nevoja që institucionet vendore të jenë të gatshme të reagojnë me profesionalizëm, koordinim dhe efikasitet ndaj çdo tentative për destabilizim apo tensionim të situatës. Kjo nënkupton forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve operative, inteligjente dhe parandaluese të institucioneve të sigurisë”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Rexhepi ka vlerësuar se NATO dhe KFOR mbeten garancia kryesore e sigurisë në Kosovë, edhe nëse ulet numri i trupave.
Sipas tij, kjo nuk e ndryshon aftësinë e tyre për të ndërhyrë shpejt nëse ka përkeqësim të situatës.
“Megjithatë, duhet theksuar se sipas arkitekturës aktuale të sigurisë në Kosovë, NATO dhe KFOR-i mbeten garantuesit kryesorë të sigurisë së përgjithshme dhe të stabilitetit strategjik. Çdo rregullim i numrit të trupave nuk ndryshon faktin se Aleanca ruan aftësinë për të reaguar shpejt dhe për të shtuar praninë e saj në rast të ndonjë përkeqësimi të situatës.
Në aspektin politik, ky është gjithashtu një mesazh i rëndësishëm për të gjithë aktorët në rajon se rruga drejt stabilitetit kalon përmes respektimit të ligjit, dialogut dhe institucioneve demokratike. Për Kosovën, ky vlerësim nga NATO përbën një konfirmim se vendi po ecën në drejtimin e duhur në forcimin e rendit dhe sigurisë publike.
Prandaj, vendimi për ripozicionimin gradual të forcave të KFOR-it duhet parë si rezultat i përmirësimit të gjendjes së sigurisë dhe si shprehje e besimit në institucionet vendore, por jo si një zëvendësim i rolit të NATO-s. Përkundrazi, ai konfirmon partneritetin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Aleancës, duke i dhënë institucioneve vendore më shumë përgjegjësi, ndërsa NATO vazhdon të mbetet garancia kryesore e paqes dhe stabilitetit në vend dhe në rajon”, ka përfunduar Rexhepi për “Bota sot”.
