Lajme

Abdixhiku: Sot nuk është ditë e lehtë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si ditë jo të lehtë Kuvendin e jashtëzakonshëm të ftuar me kërkesën e delegatëve për shkarkimin e tij.

“S’është e lehtë për mua. Jo për shkak të karriges, por sepse është e rëndë të qëndrosh para njerëzve me të cilët ke ecur gjatë dhe se sot nuk na ka mbledhur ajo që duam ta ndërtojmë bashkërisht, por kërkesa që ta rrëzojmë njërin prej nesh”, ka thënë ai.

Në fjalimin në hapje të Kuvendit, Abdixhiku ka thënë se e ka ditur që këtë funksion s’e ka pasur të garantuar përjetësisht.

Ai ka kujtuar sfidat dhe momentet e ndryshme gjatë mandatit të tij, duke theksuar se udhëheqja e LDK-së ishte bërë pjesë e jetës së tij.

“Gjatë këtyre pesë viteve kjo detyrë është bërë pjesë e jetës time. Ka pasur ditë kur kjo shtëpi më ka dhënë krenarinë më të madhe, ka pasur edhe ditë kur më ka rënduar më shumë se ç’mund të bartë një njeri”, është shprehur Abdixhiku.

Ai u ka thënë delegatëve se çdo vendim i marrë ka qenë në interes të partisë.

“Mund t’ju kem bërë krenarë dhe mund t’ju kem lënduar, por një gjë mund t’ua them me ndërgjegje të plotë: asnjë veprim, asnjë vendim nuk e kam marrë duke menduar për veten time, por për LDK-në. Këtë rrugë nuk e kam bërë vetëm, e kam bërë bashkë me ju”, ka deklaruar Abdixhiku.

Të Ngjashme