Ministrja e Drejtësisë kërkon përgjegjësi institucionale për mbrojtjen e grave: “Një grua që raporton dhunën nuk duhet të marrë përsipër edhe koordinimin e institucioneve tona”
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar–tetor 2026, në Kosovë janë vrarë tetë gra, ndërsa janë evidentuar 2 303 raste të dhunës në familje, me gjithsej 2 361 viktima, prej të cilave 1 797 gra dhe vajza.
Këto të dhëna ajo i ka bërë publike gjatë ceremonisë hapëse të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila këtë vit zhvillohet nën sloganin “Raporto dhunën”.
Në fjalën e saj, Gërvalla ka theksuar se raportimi i dhunës është vetëm hapi i parë, ndërsa përgjegjësia kryesore pas tij bie mbi institucionet, të cilat duhet të garantojnë mbrojtje dhe drejtësi për viktimat.
Ajo ka nënvizuar se një grua që vendos të raportojë dhunën shpesh ka kaluar një periudhë të gjatë frike dhe pasigurie, duke u përballur me shqetësime për fëmijët, strehimin dhe të ardhmen e saj.
“Po i kërkojmë thjesht të na besojë. T’i besojë Qendrës për Punë Sociale, policisë, Mbrojtësit të viktimave, prokurorisë, gjykatës dhe të gjitha instancave tjera. T’i besojë se shteti do ta mbrojë. Dhe këtë besim, zonja dhe zotërinj, duhet ta meritojmë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ministrja është ndalur edhe te rasti i Arlinda Zekajt, duke thënë se institucionet duhet të japin përgjigje të plota për mënyrën se si është vepruar dhe nëse është bërë gjithçka e mundur për ta mbrojtur jetën e saj.
Sipas saj, duhet të shqyrtohet çdo vendim dhe çdo mosveprim që mund të ketë ndikuar në mbrojtjen e viktimës, ndërsa ky proces duhet të zhvillohet me seriozitet dhe paanshmëri.
“Familja e saj meriton përgjigje, djali i saj meriton përgjigje. Gratë që sot jetojnë në rrezik kanë nevojë që nga këto përgjigje të dalin ndryshimet e nevojshme”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka theksuar se mbrojtja e grave kërkon bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm ndërmjet Policisë, prokurorisë, gjykatave, shërbimeve sociale, mbrojtësve të viktimave dhe strehimoreve.
Ajo ka paralajmëruar se në rastet me rrezik të lartë, vonesat mund të kenë pasoja të rënda, prandaj vlerësimi i rrezikut, shkëmbimi i informacionit dhe zbatimi i masave mbrojtëse duhet të jenë pjesë e punës së përditshme të institucioneve.
Ministrja ka folur edhe për Strategjinë e re Kombëtare 2027–2031, e cila, sipas saj, do të synojë adresimin e problemeve konkrete, përfshirë vonesat në reagimin institucional, mungesën e shërbimeve dhe paqartësitë në ndarjen e përgjegjësive.
Ajo ka theksuar se mbështetja për viktimat nuk duhet të përfundojë me raportimin e dhunës, por duhet të përfshijë strehimin, ndihmën juridike, mbështetjen psikologjike dhe mundësitë për pavarësi ekonomike.
Në fjalën e saj, Gërvalla ka bërë thirrje edhe për përfshirjen e burrave në luftën kundër dhunës ndaj grave, duke theksuar se kjo nuk është vetëm çështje e grave.
“Pa ju të nderuar vëllezër, pa ju të nderuar zotërinj, nuk do të mund ta fitojmë betejën kundër dhunës ndaj grave”, ka deklaruar ajo.
Në fund, ministrja u është drejtuar grave dhe vajzave që përballen me dhunë, duke theksuar se ato nuk kanë faj dhe se kërkimi i mbrojtjes është e drejtë e tyre.
Ajo ka falënderuar profesionistët dhe organizatat që mbështesin viktimat, ndërsa ka bërë të ditur se ushqimet, lulet dhe shallet portokalli të përgatitura për ceremoninë janë punuar nga gratë që vuajnë dënimin në burgjet e Lipjanit dhe Prishtinës, në shenjë solidariteti me Arlindën dhe të gjitha gratë që përballen me dhunë.
“Thirrja jonë ‘Raporto dhunën’ na ngarkon edhe neve me një detyrim: ta meritojmë besimin që kërkojmë, duke vepruar në kohë. Kjo është puna jonë 16 ditë, por përtej tyre, çdo ditë të vitit”, ka përfunduar Gërvalla.

