Abelard Tahiri nuk do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili tha se do të qëndrojë pranë kryetarit të partisë, Bedri Hamza, për ta mbështetur në fushatën zgjedhore.
“Do të jem pranë Kryeministrit Bedri Hamza, duke mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës për të arritur fitoren e merituar, një fitore që do ta çojë Kosovën përpara në rrugën e saj euroatlantike dhe do të forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka shprehur mirënjohje për votuesit dhe përkrahësit e PDK-së.
Ai ka theksuar se angazhimi i tij politik dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë edhe pse nuk do të jetë në listën zgjedhore.
