Lajme

Aeroplani rrëzohet mbi një shtëpi në Gjermani, dy persona humbin jetën

Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një aeroplani të lehtë mbi çatinë e një shtëpie në Ganderkesee, pranë Oldenburgut në Gjermani.

Aeroplani  humbi kontrollin dhe u përplas në çatinë e një shtëpie.

Sipas BILD, nga përplasja, kabina e pilotit u shkatërrua plotësisht, ndërsa pjesë të aeroplanit u shpërndanë në zonën përreth.

Banorët e lagjes thanë se dëgjuan një zhurmë të fuqishme para se të shihnin skenën e rëndë.

Policia rrethoi zonën, evakuoi banorët e shtëpive brenda një rrezeje prej 100 metrash dhe mbylli përkohësisht hapësirën ajrore mbi vendngjarje, ndërsa zjarrfikësit kontrolluan çatinë dhe rrënojat e aeroplanit.

Fillimisht u gjet trupi i një viktime, ndërsa dyshohej se në aeroplan ndodhej edhe një person i dytë.

Pas disa orësh kërkime dhe përdorimit të një vinçi për largimin e rrënojave nga çatia, ekipet e shpëtimit gjetën edhe trupin e personit të dytë, i cili gjithashtu kishte humbur jetën.

Sipas autoriteteve, familja që banonte në shtëpinë ku u përplas aeroplani ndodhej me pushime në momentin e aksidentit, duke shmangur një tragjedi edhe më të madhe.

Të Ngjashme