Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e sotme në aksin Vorë–Fushë-Krujë, ku si pasojë e një përplasjeje kokë më kokë dyshohet se ka humbur jetën një person, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja u regjistrua kur një automjet tip “Benz”, që udhëtonte nga Rinasi në drejtim të Fushë-Krujës dhe drejtohej nga një qytetar nga Korça, ka kryer një parakalim të gabuar.
Për pasojë, ai është përplasur kokë më kokë me një automjet tip “Land Rover”, i cili po lëvizte në drejtim të kundërt, nga veriu në jug.
Si pasojë e goditjes së fortë janë plagosur rëndë drejtuesit e të dy mjeteve. Njëri prej tyre dyshohet se ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa drejtuesi tjetër është transportuar po ashtu drejt spitalit në gjendje kritike për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimet, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.
