Lajme

Aksident tragjik në Gjermani, humbin jetën nëna dhe fëmija

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të premten pasdite në rrugën shtetërore 2409, ndërmjet Ammerndorfit dhe Cadolzburgut, në rrethinën e Fürthit, në veri të Bavarisë.

Dy persona kanë humbur jetën në aksident, ndërsa një tjetër është lënduar rëndë. Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, viktimat janë një nënë dhe fëmija i saj, shkruan Bild.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:50, kur një veturë Peugeot, me dy persona brenda, për arsye ende të panjohura ka kaluar në shiritin e kundërt të qarkullimit, pranë Steinbachut, dhe është përplasur kokë më kokë me një Ford që po vinte përballë.

Pas përplasjes, Peugeot-i është përfshirë nga flakët. Personat e parë që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes janë përpjekur të ndihmojnë, ndërsa nëna është nxjerrë nga vetura e përfshirë nga zjarri. Ekipet emergjente kanë tentuar ta rikthejnë në jetë, por plagët e saj kanë qenë shumë të rënda dhe ajo ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Edhe fëmija, që ndodhej në veturë, nuk ka mundur të mbijetojë.

Ndërkohë, drejtuesi i Fordit ka pësuar lëndime të rënda dhe është transportuar për trajtim në spital.

Në momentin e aksidentit kishte reshje të dendura shiu. Policia po heton nëse rruga e lagësht mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të veturës.

Prokuroria ka urdhëruar angazhimin e një eksperti për të përcaktuar saktësisht se si ka ndodhur aksidenti. Rruga ka qëndruar e mbyllur për disa orë për shkak të hetimeve, operacioneve të shpëtimit dhe largimit të automjeteve.

Të Ngjashme