Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet R.H. dhe Q.H., nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, gjatë periudhës nga 22 tetori 2025 deri më 9 janar 2026, në rrugën “Rifat Dedia”, në lagjen Kolloni të Mitrovicës, u kanë shitur personave të ndryshëm substancë narkotike të llojit kokainë.
Sasia e kokainës që dyshohet se është shitur ka qenë nga 0.22 deri në 0.50 gramë.
Gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll, te të pandehurit janë gjetur dhe sekuestruar katër qese me substancë narkotike, me peshë të përgjithshme prej 1.7 gramësh, një mulli për bluarjen e substancës narkotike, dy telefona mobilë, si dhe 1,700 euro para të gatshme.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën penale që u vihet në barrë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim sipas ligjit.
