Një dron detar i llojit “MAGURA V5”, i pajisur me rreth 100 kilogramë lëndë eksplozive, ka alarmuar autoritetet greke pasi u gjet i bllokuar në brigjet e Lefkadhës. Sipas mediave greke, droni cili njihet si një teknologji sulmi e përdorur nga forcat ukrainase, u diktua fillimisht nga peshkatarë lokalë.
Mediat raportojnë se ekspertët e përshkruajnë këtë pajisje me rrezikshmëri të lartë, dhe e aftë për të asgjësuar objektiva detarë me përmasa të konsiderueshme përmes telekomandimit. Hetimet paraprake të shërbimeve inteligjente sugjerojnë se objektivi i mundshëm i këtij droni ishte një autokolonë anijesh ruse që po lundronte në ujërat e Mesdheut, mes Kretës dhe Maltës, me destinacion portin e Tartusit në Siri. Sipas të dhënave, droni lundrues dyshohet se ka humbur kontrollin ose ka pësuar defekt gjatë tentativës për të goditur flotën ruse.
E sipas mediave greke, baza e dronit detar është në Vlorë, Shqipëri ose në Libinë Perëndimore. Dy porte, një në Adriatik dhe një në Mesdhe, janë vënë nën “lupën” e autoriteteve greke të sigurisë. I pari, në Vlorë, Shqipëri, dhe i dyti, në portin e Misratës në Libinë Perëndimore. Atje, në fakt, një hetim zbuloi së fundmi se Ukraina mban një prani ushtarake, me më shumë se 200 oficerë dhe specialistë të dronëve.
Ndërkohë që Autoriteti Portual i Lefkadhës vijon procedurat e sekuestrimit, ky incident ka ngritur pikëpyetje të reja mbi sigurinë detare në Jon dhe shtrirjen e konfliktit ukrainas në ujërat e Mesdheut.
