Ndotja e ajrit paraqet një nga sfidat më të mëdha mjedisore, shëndetësore dhe klimatike në Kosovë sipas IKSHPK-së, e cila konsiderohet si emergjencë globale e shëndetit publik.
Në njoftimin e Institutit thuhet se termoelektranat e Kosovës (A dhe B) që përdorin thëngjillin si burim energjie mund të lëshojnë në atmosferë substanca të dëmshme si: ozoni (O3), oksidet e azotit (NOx), dioksidi të squfurit (SO2), dhe materje grimcore me madhësi PM10 dhe PM2.5, transmeton Klankosova.tv.
Sipas raporteve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, sektori i energjetikës është përgjegjës për 40% të emisioneve ndotëse të ajrit, ku lirimi i tymit dhe pluhurit rritë përqendrimin e grimcave ajrore fluturuese për një kohë më të gjatë në ambientin rrethues.
Ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës paralajmërojnë dhe alarmojnë se poqëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.
