Lajme

Albin Kurti takohet me legjendën e futbollit të Prishtinës, Xhevdet Muriqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij ish-futbollistin e FC Prishtinës, Xhevdet Muriqi, pjesë e brezit të artë të klubit gjatë viteve të ’80-ta.

Kurti ka bërë të ditur se me Muriqin ka biseduar për ndeshjet dhe emocionet e asaj kohe, kur stadiumi i Prishtinës mbushej përplot dhe suksesi i klubit përjetohej si krenari nga tifozët.

Në takim janë kujtuar edhe figura të njohura të atij brezi, përfshirë Fadil Vokrrin, Kujtim Shalën dhe trajnerin Qiro Bllazheviq, si dhe vëllai i Xhevdetit, Fadil Muriqi, i cili jeton në Australi.

Muriqi, pas 28 vitesh jetë e punë në Kroaci dhe 12 të tjera në Gjermani, është rikthyer në Kosovë vitin e kaluar.

Gjatë takimit, biseda ka kaluar edhe te Përfaqësuesja e Kosovës, paraqitjet e fundit dhe ndeshjet e radhës që e presin gjatë nëntorit.

Të Ngjashme