Keni dëgjuar ndonjëherë për alergjinë nga uji? Historia e 25-vjeçares Tessa Hansen-Smith është shumë e veçantë.
“Nëse do të lahesha do të merrja plagë të mëdha në trup dhe skalpi i kokës mund të më rrjedhë gjak”, thotë ajo. Tessa Hansen-Smith, e cila jeton në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara, thotë se që prej moshës 8-vjeçare vuan nga një alergji shumë e rrallë, ‘urtikaria akuagjenike’: nëse bie në kontakt me ujin, shkakton plagë dhe skuqje të lëkurës, të shkaktuara edhe nga djersa ose lotët e saj. Është një sëmundje shumë e rrallë, ku në të gjithë botën janë më pak se 250 persona të prekur nga kjo formë alergjike dhe që në veçanti gratë vuajnë nga ajo. Pas vitesh testimi nga specialistë, e para që kuptoi sëmundjen e veçantë të vajzës ishte nëna e saj, Dr. Karen Hansen-Smith, mjeke e përgjithshme
“U ndjeva pak fajtore si nënë që nuk e kuptova menjëherë, kur pashë vajzën time duke dalë nga dushi me ato skuqje, se ishte një problem i ujit”, thotë mamaja e Tessa-s.
Tessa nëse pi ujë ose ha ushqime të pasura me ujë, thotë se ndjen një ndjesi djegiejeje, për këtë arsye pi kryesisht qumësht, një ushqim në të cilin uji balancohet nga yndyrat dhe proteinat.
25-vjeçarja ka gjetur një zgjidhje edhe për sa i përket higjienës personale. Në Instagram ajo shpjegoi se bën dush shumë rrallë, çdo 2-4 muaj.
“Unë përdor deodorant dhe depilohem sa më shumë që të jetë e mundur për të zgjidhur problemin e erës dhe prirem të mos përfshihem në aktivitete që më bëjnë të djersitem,” shtoi ajo.
“Unë u përpoqa të përdor peceta të lagura për një kohë, por edhe ato shkaktojnë dhimbje. Të jesh në dush për më shumë se pesë minuta nuk është përvoja relaksuese për të cilën të gjithë flasin për mua, pasi duhet të shmang të fikët nga hiperventilimi ndërsa uji rrjedh në trupin tim”, tha ajo.