Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme për Shqipërinë të dy sistemeve të artilerisë raketore M142 HIMARS, së bashku me paketën e plotë të trajnimit, mirëmbajtjes dhe municioneve.
Lajmi është bërë i ditur nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA – Gjenerallejtënant Arben Kingji.
Ai ka bërë të ditur se financimi i kësaj blerjeje parashikohet të realizohet përmes një kredie në kuadër të programit amerikan të financimit ushtarak.
“Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe do të kontribuojë në forcimin e aftësive mbrojtëse të vendit dhe në përmbushjen e angazhimeve tona në kuadër të NATO-s”, ka shkruar ai.
