Anëtari i Komisionit Hetimor, Burim Ramadani, ka njoftuar se sot ka nisur intervistimi i dëshmitarëve të parë nga ky komision, i cili po heton rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka bërë të ditur se në mesin e personave që do të intervistohen janë katër zyrtarë dhe drejtues të Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, si dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Sipas njoftimit të Ramadanit, personat e paraparë për intervistim janë:
Toska Gega, menaxhere e rastit në QPS në Pejë;
Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS në Pejë;
Shpat Morina, zyrtar i QPS-së në Pejë;
Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë;
Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës.
Ramadani nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me përmbajtjen e intervistimeve.
