Ka vazhduar procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese, Vigan Qorrolli, ka njoftuar se sot është organizuar testimi me shkrim, ku kanë marrë pjesë 20 kandidatë, ndërsa një kandidat është tërhequr nga gara.
Përmes një postimi në Facebook, Qorrolli ka bërë të ditur se procesi është zhvilluar nën kryesimin e tij, ndërsa ka njoftuar edhe për fazën e ardhshme të përzgjedhjes.
“Faza e radhës, intervistimi me gojë, do të mbahet më 27 nëntor”, ka shkruar ai.
Qorrolli ka theksuar se procesi po zhvillohet mbi parimet e ligjshmërisë, transparencës, paanshmërisë dhe meritokracisë, me synimin që përzgjedhja të bazohet në integritetin dhe aftësitë profesionale të kandidatëve.
Ai ka vlerësuar se përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese përbën një përgjegjësi të rëndësishme institucionale.
“Gjykata Kushtetuese është gardiane e Kushtetutës. Përzgjedhja e gjyqtarëve të saj është përgjegjësi ndaj Republikës, rendit kushtetues dhe besimit të qytetarëve në drejtësi”, ka theksuar Qorrolli.
