Katër persona janë arrestuar në Mitrovicën e veriut, nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë, të cilët në momentin e incidentit ishin jashtë detyrës zyrtare.
Rasti ka ndodhur pas mesnatës së 18 nëntorit, në një lokal në rrugën “Boris Kidriç”, ku fillimisht dy policët dyshohet se janë ofenduar nga disa persona për shkak të punës së tyre zyrtare.
Sipas njoftimit të Policisë, sulmi fizik ndaj tyre ka ndodhur pasi kanë dalë nga lokali. Si pasojë, njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime të rënda trupore, sipas vlerësimit të mjekut kujdestar.
Menjëherë pas raportimit të rastit, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë arrestuar dy të dyshuar, S. L. (2001) dhe U. L. (2005).
Gjatë verifikimeve, policia ka konstatuar se njëri prej të dyshuarve posedonte disa armë me leje në adresën e tij të banimit, të cilat janë sekuestruar me udhëzim të prokurorit të shtetit.
Ndërkohë, hetuesit rajonalë kanë identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në rast, N. M. (2004) dhe L. M. (2005), të cilët janë shoqëruar në stacion policor. Edhe te njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një armë me leje.
Të katër të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me aktvendim të prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
