Lajme

A do të votohet nesër Ligji për Specialen? Flet Mergim Lushtaku

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka deklaruar se nesër pret që të vazhdohet seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën ka mbetur pa u votuar Ligji për Dhomat e Specializuara.

Siç raporton EO, Lushtaku ka thënë se ende nuk ka njoftim zyrtar për vazhdimin e seancës, por sipas dakordimit të mëhershëm mes deputetëve, ajo pritet të mbahet nesër, në orën 09:00 ose 10:00, varësisht nga marrëveshja për orarin, transmeton IndeksOnline.

Deputeti ka thënë se PDK-ja synon që fillimisht të votohet Ligji për Dhomat e Specializuara, e më pas të procedohet me një iniciativë të re ligjore për ndryshime, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Ne kemi një njoftim zyrtar për seancën e rregullt, ndërsa për vazhdimin e seancës ende nuk kemi ndonjë informacion, por me atë që jemi dakorduar më herët, vazhdimi i seancës do të ndodhë dhe besojmë që ajo do të ndodhë nesër në ora 09:00 apo 10:00, në çfarëdo ore që dakordojmë ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës”.

“Prandaj, besoj që në bazë të dakordimit që kemi pasur, ne do të vazhdojmë që të votojmë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe pastaj, sigurisht, pas këtij votimi do të procedojmë me nismën e re ligjore për ndryshimin, duke pasur një bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, përkatësisht me Bashkimin Evropian dhe me të tjerët ndërkombëtarë që do të na ndihmojnë në forcimin e ligjit, forcimin e drejtësisë dhe që do t’i shërbejë mbrojtjes së vërtetë historike dhe mbrojtjes së çlirimtarëve”, ka deklaruar Lushtaku.

I pyetur nëse PDK-ja i ka votat e VV-së për këtë ligj, Lushtaku ka thënë se, bazuar në marrëveshjet e deritanishme, kanë garanci se do të ketë mbështetje, sikurse në votimin e kaluar.

“Me atë sa jemi marrë vesh deri më tani, po, kemi garancë, sikur ka ndodhur edhe herën e kaluar që është votuar Ligji për Dhomat e Specializuara”, ka thënë Lushtaku.

Të Ngjashme