Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, sot u mbajt takim me Grupin Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas njoftimit nga Presidenca, në këtë takim, Kryesuesi i Grupit Punues për hartimin e strategjisë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel, Glauk Konjufca dhe anëtarët e Grupit e informuan Presidenten Shiroka Pula për ecurinë e deritashme të punës.
“Gjithashtu u diskutua edhe për mbarëvajtjen e punës me qëllim të koordinimit ndërinstitucional, të mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për procesin e apelit”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se presidentja Shiroka Pula, shprehu mbështetjen për Grupin Punues, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
