Lajme

Të pagjeturit e luftës, prova e vërtetë për pushtetin e ri në Serbi: A do t’i hapë Beogradi arkivat për krimet në Kosovë?

Fati i personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë vazhdon të mbetet një nga plagët më të rënda të pasluftës, ndërsa familjet e tyre ende presin përgjigje për më të dashurit që u rrëmbyen dhe u zhdukën nga forcat serbe. Edhe pas më shumë se dy dekadash, zbardhja e fatit të tyre mbetet e varur nga bashkëpunimi institucional dhe, mbi të gjitha, nga gatishmëria e Serbisë për të treguar të vërtetën dhe për të hapur dokumentacionin që mund të çojë drejt lokacioneve të varrezave masive.

Zhvillimet e fundit në terren, përfshirë gjetjen e mbetjeve mortore në Shtërpcë më 12 nëntor dhe identifikimin e mbetjeve të tre anëtarëve të “Grupit të Intelektualëve”, e rikthyen edhe një herë në vëmendje dhimbjen e familjeve dhe urgjencën e zbardhjes së kësaj çështjeje.

Në këtë situatë, vëmendja po drejtohet edhe kah zhvillimet politike në Serbi dhe roli që mund të marrë Lista Studentore në formimin e pushtetit të ri. Ndonëse kjo lëvizje ka kritikuar politikën e presidentit Aleksandar Vuçiq, ende nuk ka një qëndrim të qartë publik për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe për çështjen e të pagjeturve.

A do të ketë gatishmëri pushteti i ri në Serbi për të hapur arkivat ushtarake dhe policore, për të zbuluar informacionet mbi varrezat masive dhe për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve? A duhet që Kosova ta kushtëzojë përparimin në dialog me Serbinë me rezultate konkrete në këtë drejtim? Dhe a mund të flitet për normalizim të marrëdhënieve pa u zbardhur fati i mijëra njerëzve që ende mungojnë?

Për këto çështje, për “Bota sot” kanë folur publicisti Lis Bukuroca dhe eksperti i sigurisë Fidair Berisha.

Bukuroca: Pa përballje me krimet e Serbisë, ndryshimi i pushtetit nuk mjafton

Fillimisht, lidhur me mundësinë që ndryshimet politike në Serbi të sjellin një qasje të re për çështjen e të pagjeturve, foli publicisti Lis Bukuroca.

Në një prononcim për “Bota sot”, ai vlerëson se ndryshimi i pushtetit në Beograd mund të krijojë mundësi të reja, por paralajmëron se nuk duhet të krijohen pritje të pabazuara, pasi kundërshtimi ndaj Aleksandar Vuçiqit nuk nënkupton domosdoshmërisht kundërshtim të politikës së tij ndaj Kosovës.

Image
Lis Bukuroca

“Ndryshimi i pushtetit në Serbi mund të sjellë mundësi të reja, por nuk do të jenë të shpejta. Ata janë kundër Vuçiqit, por jo aq kundër politikës së tij ndaj Kosovës.

Pyetja është: a kundërshtohet Vuçiqi sepse ishte autokrat i korruptuar, apo pse nuk ka arritur ta nënshtrojë Kosovën? Janë dy qëndrime krejt të ndryshme.

Prandaj, pa një qëndrim të qartë të Listës Studentore ndaj krimeve dhe të pagjeturve, shpresën nuk duhet ta ngatërrojmë me garancinë.

Politika serbe është ende nacionaliste dhe ekstremiste”, deklaroi ai.

Duke folur për hapjen e arkivave ushtarake dhe policore, Bukuroca thekson se ky do të ishte një tregues konkret i gatishmërisë së Serbisë për t’u përballur me të kaluarën.

Sipas tij, ndryshimi i emrave në krye të institucioneve nuk mjafton, nëse nuk shoqërohet me transparencë dhe pranimin e përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës.

“Hapja e arkivave ushtarake dhe policore do të ishte një provë konkrete e vullnetit për ndryshim.

Nuk mjafton të ndërrohen njerëzit në krye të shtetit, sepse vetëm përballja me krimet e shtetit serb bën diferencën.

Çfarë mbrohet duke fshehur vendndodhjen e varrezave masive?

Interesi i qytetarëve apo përgjegjësit e krimeve?

Në atë rast do të mbroheshin tutje kriminelët, si deri tani”, u shpreh publicisti.

Ai vlerëson se pritja e familjeve të personave të zhdukur nuk mund të vazhdojë të kushtëzohet nga kalkulimet politike dhe rrethanat e brendshme në Serbi.

Sipas tij, zbardhja e fatit të të pagjeturve është një detyrim njerëzor dhe moral, ndërsa familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe të varrosin të afërmit e tyre.

“Familjet kanë pritur më shumë se dy dekada. T’u kërkosh të presin tutje, derisa të krijohen rrethana të përshtatshme politike, do të thotë që edhe të drejtën për t’i varrosur të afërmit t’ua nënshtrosh interesave të pushtetit.

Domethënë: Serbia nuk ka vendosur vetëm për vrasjen e tyre, por edhe për varrimin e tyre dhe për vjedhjen e të vdekurve”, theksoi ai.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Bukuroca shprehet se Kosova duhet ta kushtëzojë përparimin thelbësor në këtë proces me bashkëpunimin konkret të Beogradit për çështjen e të pagjeturve.

Ai kërkon që kërkesat të përfshijnë dokumente, lokacione, hetime dhe afate konkrete, duke theksuar se premtimet pa rezultate vetëm e zgjasin pritjen e familjeve.

“Po, pa asnjë dyshim, Kosova duhet ta kushtëzojë përparimin thelbësor në dialog me bashkëpunimin konkret për të pagjeturit: dokumente, lokacione, hetime dhe afate.

Premtimet pa rezultate vetëm e zgjasin pritjen. Ndërkohë, kërkimet dhe bashkëpunimi humanitar duhet të vazhdojnë edhe kur bisedimet politike bllokohen.

Serbia nuk i bën nder Kosovës duke treguar ku ndodhen të vrarët. Ajo përmbush një detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

Dhe një pushtet që pretendon se do ta demokratizojë Serbinë, duhet të tregojë nëse ka guxim t’i hapë edhe arkivat e veta.

Të dëshmojë se nuk është bisht i Millosheviqit dhe Vuçiqit…”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.

Berisha: Pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, vlerëson se ndryshimi i pushtetit në Serbi mund të krijojë mundësi për një qasje të re ndaj çështjes së të pagjeturve, por thekson se kjo duhet të dëshmohet përmes veprimeve konkrete.

Në një prononcim për “Bota sot”, ai nënvizon se çdo qeveri e re në Beograd duhet të tregojë gatishmëri për t’u përballur me të kaluarën dhe për të zbardhur fatin e personave që vazhdojnë të figurojnë të zhdukur që nga lufta.

Image
Fidair Berisha

“Mendoj se ndryshimi i pushtetit në Serbi mund të krijojë mundësi për një qasje të re, por kjo duhet të dëshmohet me veprime konkrete dhe jo vetëm me deklarata politike. Çdo qeveri e re duhet të tregojë gatishmëri për t’u përballur me të kaluarën dhe për të zbardhur fatin e personave të pagjetur”, u shpreh Berisha.

Duke folur për hapjen e arkivave ushtarake dhe policore, eksperti i sigurisë e konsideron këtë një domosdoshmëri për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe identifikimin e varrezave masive.

Sipas tij, Serbia duhet t’i bëjë publike të gjitha informacionet që mund të ndihmojnë në këtë proces, duke marrë parasysh pritjen e gjatë të familjeve të viktimave.

“Konsideroj se hapja e arkivave ushtarake dhe policore është një domosdoshmëri. Serbia duhet t’i bëjë publike të gjitha informacionet që mund të ndihmojnë në identifikimin e varrezave masive dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Familjet kanë pritur shumë gjatë dhe kanë të drejtë ta dinë të vërtetën”, deklaroi ai.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Berisha thekson se normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të jetë i mirëfilltë përderisa nuk zbardhet fati i personave të pagjetur.

Ai vlerëson se Kosova duhet të kërkojë rezultate konkrete nga Beogradi, përfshirë hapjen e arkivave dhe bashkëpunimin e plotë institucional, duke nënvizuar se kjo çështje nuk duhet të shndërrohet në objekt të pazareve politike.

“Nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve pa u zbardhur fati i personave të pagjetur. Kosova duhet të kërkojë rezultate konkrete nga Serbia, përfshirë hapjen e arkivave dhe bashkëpunimin e plotë institucional. Kjo nuk duhet të jetë çështje pazari politik, por çështje drejtësie dhe përgjegjësie njerëzore”, theksoi eksperti.

Në fund, Berisha rikujton se personat e pagjetur nuk mund të trajtohen thjesht si shifra statistikore, pasi pas secilit prej tyre qëndron një familje që vazhdon të presë përgjigje.

Ai bën thirrje që kjo çështje të mbetet në vëmendjen e institucioneve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, derisa të zbardhet fati i secilit person të zhdukur.

“Mesazhi im: 1,577 personat e pagjetur nuk janë vetëm numra statistikash, por njerëz që mungojnë në familjet e tyre. Përderisa familjet vazhdojnë të presin përgjigje, ne nuk kemi të drejtë ta largojmë këtë çështje nga vëmendja institucionale dhe ndërkombëtare”, përfundoi Fidair Berisha për “Bota sot”.

Të Ngjashme