Ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, ka prezantuar prioritetet e tij për bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Ai në një video të publikuar në rrjetet sociale falënderoi presidentin amerikan Donald Trump dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio për besimin e tyre dhe nuk e la pa shprehur mirënjohjen për popullin shqiptar për mikpritjen e “ngrohtë” ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ambasadori Wendt i cilësoi shqiptarët si një popull jashtëzakonisht mikpritës, punëtorë dhe krenarë, bazuar në përvojën e tij gjatë shërbimit ushtarak dhe udhëtimeve në Shqipëri, ku pati rastin të takonte qytetarë të zakonshëm.
Wendt përmendi tri pikat kryesore ku do të përqendrohet bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë: forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe përmbushjen e përgjegjësive si aleatë, rritjen e tregtisë, investimeve dhe mundësive ekonomike, si dhe luftën kundër krimit transnacional dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta.
“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë një histori të fuqishme, miqësi dhe respekt të thellë të ndërsjellë”.
Kush është ambasadori i ri amerikan në Shqipëri?
Gjenerallejtënanti në pension i Forcave Speciale, Eric Wendt, ka punuar më parë si Profesor i Praktikës, duke dhënë mësim mbi Komandën dhe Lidershipin në Shkollën Pasuniversitare Detare (NPS). Kur ishte ende në shërbim aktiv si gjeneral me tre yje, ai ishte i dislokuar në Evropë dhe shërbeu si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Ai komandoi të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të vëna në dispozicion të NATO-s (përfshirë njësitë e operacioneve speciale shqiptare) dhe ka punuar në Shqipëri me drejtues të mbrojtjes dhe ushtarakë. Shërbimi i tij përfshinte 55 muaj dislokime luftarake në rajone të ndryshme të botës, përfshirë një vit në Afganistan si Zëvendëskomandant Rajonal, detyrë që përfshinte edhe mbikëqyrjen e ushtarakëve nga Shqipëria.
Gjatë më shumë se 34 vjetëve në shërbim aktiv, ai ka mbajtur poste të shumta të larta komanduese dhe ka drejtuar organizata me mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Ai ka shërbyer si Shef i Shtabit të Komandës së SHBA-së për Paqësorin (USPACOM). Për dy vjet, ai punoi për Departamentin e Shtetit si pjesë integrale e Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem, ku drejtoi një koalicion prej tetë vendesh në cilësinë e Koordinatorit të Sigurisë së SHBA-së për marrëdhëniet midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit. Ai zotëron përvojë të konsiderueshme në lidership, aftësi të dëshmuara në menaxhimin e organizatave komplekse shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe ekspertizë rajonale për Evropën.
Wendt zotëron një diplomë Bachelor nga Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara, dhe një diplomë Master nga Shkolla Pasuniversitare Detare në Monterey, Kaliforni. Ai flet gjuhën arabe dhe atë koreane.
