Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Analistët i kërkojnë qeverisë të ecë më shpejtë me draftin e Asociacionit

 
   

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka dërguar draftstatutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht presionit ndërkombëtar. Njohësit e çështjeve politike dhe kushtetuese thonë se qeveria duhet ta dekretojë sa më shpejt draftin si një akt nënligjor dhe më pas ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese. Radio Kosova ka kërkuar përgjigje nga qeveria se kur pritet ta dërgojë draftin në Kushtetuese, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po vazhdojnë të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të ecin me hapa më të shpejtë për sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ata kanë kërkuar që sa më shpejt të dërgohet drafti në Gjykatën Kushtetuese, por që qeveria ende nuk e ka bërë një hap të tillë. Radio Kosova i ka dërguar pyetje Zyrës së kryeministrit, se kur pritet ta dekretojë qeveria draftstatutin e Asociacionit e më pas ta dërgojë në Kushtetuese, por një përgjigje të tillë ende nuk e ka marrë.

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhajsaj, tha për Radio Kosovën se drafti i Asociacionit të komunave më shumicë serbe që është propozuar nga Bashkimi Evropian, të bëhet draft zyrtar me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe më pas të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Qeveria duhet të veprojë shpejt, në mënyrë që të mos lihet që rastësisht të dështojë i gjithë procesi. Janë marrë disa veprime e tani të dështojë komplet si proces, atëherë mund të ketë pasoja të mëdha dhe mund të konsiderohet fitore e madhe diplomatike e Serbisë”, deklaroi Demhasaj.

Edhe profesori universitar, Dorajet Imeri, tha se Kosova duhet ta kryejë punë e saj që i takon, por jo pa e pranuar Serbia marrëveshjen e arritur.

“Kosova duhet ta kryejë punën e saj, por asnjëherë të mos e jetësojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe për aq kohë sa Serbia të mos e pranojë në tërësi marrëveshjen e arritur dhe të shkëmbejë diplomatësinë nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes, e që nënkupton edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Imeri.

E presidentja Vjosa Osmani, ka sqaruar se fundmi se ajo nuk mund ta dërgojë draftin në Gjykatën Kushtetuese pa u miratuar ky dokument nga qeveria. Osmani theksoi se sipas statutit, por edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, kjo është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat e kanë kufizuar mandatin e presidentes për të ngritur çështje kushtetuese ose për të bërë pyetje kushtetuese, nëse një dokument është në përputhje me Kushtetutën. Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt i qeverisë, si presidente nuk mund ta dërgojë atë akt në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113”, tha ajo.

Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët perëndimorë ia kanë paraqitur Kosovës dhe Serbisë një draftstatut për formimin e Asociacionit, të cilin palët e kanë pranuar në parim. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin në vitin 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.