Lajme

Analisti ‘zbulon’ cila parti rrezikon nga votat e diasporës: LVV mund të fitojë mandate, LDK e PDK do të…

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur numërimi i votave nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht atyre të ardhura përmes postës.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi ka filluar me fletëvotimet e pranuara në 23 kutitë postare të KQZ-së. Ai bëri të ditur se zarfet, pas procesit të vlerësimit, janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave nga vijnë votuesit e regjistruar.

Ndërkohë, paralelisht po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime. Deri më 12 qershor janë shqyrtuar mbi 60 mijë pako, prej të cilave 59,973 janë aprovuar, ndërsa 2,244 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument i domosdoshëm për votimin me postë.

Nga rezultatet e para të publikuara nga KQZ-ja, pas numërimit të vetëm një kutie nga gjithsej 57, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 315 vota ose 78.75 për qind. LDK renditet e dyta me 65 vota (16.25%), ndërsa PDK e treta me 17 vota (4.25%). Aleanca ka marrë dy vota, ndërsa KDTP një votë.

Edhe në votimin në përfaqësitë diplomatike, ku janë numëruar 46 nga 47 vendvotime, LVV-ja vazhdon epërsinë me 18,282 vota ose 83.25 për qind. Pas saj renditen PDK me 1,561 vota (7.11%) dhe LDK me 1,458 vota (6.64%), ndërsa Aleanca ka siguruar 454 vota (2.07%).

Sipas rezultateve preliminare të përmbledhura deri më tani, LVV-ja mban vendin e parë me 44.09 për qind të votave dhe 50 mandate, e ndjekur nga PDK me 23 ulëse (20.82%), LDK me 19 mandate (17.07%) dhe Aleanca me 8 ulëse (7.09%). Procesi i numërimit të votave nga diaspora dhe me postë pritet të ndikojë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Analisti politik Blerim Burjani, e sheh Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës më të rrezikuar në këtë përqindje.

Sipas tij, mund të ketë ndryshime në rezultatet aktuale edhe në parti tjera.

“AAK rrezikon më shumë se partitë e tjera për shkak të numrit të vogël të votave që ka siguruar dhe diferencave të ngushta në ndarjen e mandateve.

Ndryshime në rezultatet aktuale mund të ketë edhe te partitë e tjera, por jo në përmasa të mëdha. Në aspektin e mandateve, AAK-ja shihet si subjekti që mund të humbasë më së shumti”, deklaron Burjani për “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

Lëvizja Vetëvendosje, sipas Burjanit, mund të fitojë mandate, por ai nuk përjashton fitim mandate edhe nga LDK e PDK.

“Nga ana tjetër, LVV-ja mund të fitojë deri në tri mandate shtesë, ndërsa LDK-ja dhe PDK-ja mund të fitojnë nga një deri në dy mandate.

Vlerësohet se votat e diasporës mund të përbëjnë rreth 5 për qind të totalit të votave, çka mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve. Megjithatë, LVV-ja nuk është më në nivelin e mbështetjes që kishte kur fitoi mbi 51 për qind të votave. Sidoqoftë, ende nuk dihet saktësisht rezultati përfundimtar, pasi procesi nuk ka përfunduar. Derisa të rrumbullaksohen të gjitha rezultatet dhe të certifikohen votat, përfshirë ato për kandidatët për deputetë, çdo vlerësim mbetet paraprak. Prandaj, duhet pritur certifikimi i rezultateve për të pasur një pasqyrë të qartë dhe përfundimtare të shpërndarjes së mandative”, përfundon Burjani.

Kujtomë se aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50 mandate, PDK 23 mandate, LDK 19 ulëse e AAK 8 mandate.

Të Ngjashme