Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Naim Berisha, avokati Naim Rudari ishte i angazhuar me tjetër seancë, është anuluar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë të Prishtinës më 26 mars 2024.
Në këtë rast, bashkë me Naim Berishën, akuzohen Ahmet Berisha, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja e rastit, Alltën Murseli tha se avokati Rudari ka seancë në Departamentin Special, andaj nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.
Gjykimi po mbahet në mungesë ndaj të akuzuarve Naim Berisha dhe Kaltrim Gashi, pasi që të njëjtit ndodhen në arrati.
Sipas aktakuzës, palët e armatosura u përplasën për motive hakmarrjeje të lidhura me tregtinë e narkotikëve, duke shkaktuar edhe lëndime të tjera të rënda. Të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”. Naim Berisha dhe Kaltrim Gashi, ndodhen ende në arrati.
