Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arrestohet ish-funksionari i AAK-së, Shkodran Pulaj

Shkodran Pulaj, ish-kandidat i AAK-së për asamblist në Prizren, është arrestuar sot në një operacion anti-drogë të Policisë së Kosovës.

Pulaj është në mesin e katër personave të arrestuar në një aksion policor të realizuar paraditen e së hënës në Prizren.

Operacioni policor është kryer në lagjen “Bajram Curri” të Prizrenit. Konkretisht, në katër lokacione.

“Sot, në orët e paradites Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ka realizuar një operacion policorë, i cili përfshinë katër lokacione në rajonin e Prizrenit”, ka thënë Kelani.

Gjatë këtij aksioni, Policia ka sekuestruar një sasi të substancave narkotike, si dhe armë e municion, që do të shfrytëzohen si prova lidhur me rastin.

Shkodran Pulaj, është ish-anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kandidat për asamblist i AAK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Nëntë muaj më parë, në fund të vitit të kaluar, Pulaj dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të nëndegës së AAK-së ‘Bajram Curri’ në Prizren. Ai u shpreh i pakënaqur me politikat e Kryesisë së AAK-së në Prizren.

“Në vazhdim ai dhe ata të degës në Prizren po na injorojnë dhe neglizhojnë kërkesat tona, ku e kanë vetëm grupin e vetë të ngushtë që interesohen dhe punojnë ne drejtimin e intresave të veta personale, apo te disa individëve të kryesisë së ngushtë”, kishte shkruar ai.

Në vitin 2016, sipas një raportimi të Insajderit, Shkodran Pulaj ishte pjesë e një hetimi të Prokurorisë Speciale të Kosovës kundër disa zyrtarëve të shtetit, të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar.

Megjithatë, hetimet të cilat përfshinin dy prokurorë, drejtorin e policisë rajonale në Prizren dhe gjashtë policë hetues ishte dekonspiruar. Hetimi përfshinte edhe Pulajn. Ai dyshohej për ndërmjetës mes zyrtarëve të shtetit dhe kriminelëve.

Gjatë kohës së përgjimeve dhe vëzhgimit, të dyshuarit nuk kishin kryer asnjë veprim që do të mund të konfirmonte se janë përfshirë në krim të organizuar, shpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

“Asnjëra nga masat hetimore të përshkruara më lart nuk ka dhënë rezultate që do të lejonte sigurimin e informacionit të dobishëm për këtë rast. Nga zbatimi i këtyre masave u bë e qartë se të pandehurit janë informuar në lidhje me faktin se ata po monitoroheshin”, thuhet në aktvendimin për mbyllje të hetimeve të një prokurori të EULEX-it dhe një vendës.

Vendimi ishte nxjerr më 5 dhjetor 2016.