Policia e Kosovës ka arrestuar L.V, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘keqpërdorim i besimit’.
I njëjti dyshohet se nën cilësinë e U.D të menaxherit të një kompanie në Gjilan, ka dëmtuar kompaninë dhe komunën në mijëra euro.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjilan, ka zhvilluar veprimet hetimore, duke arritur të sigurojë dëshmi të arsyeshme se i dyshuari me iniciale (L.V.), u.d. menaxher i departamentit në një kompani, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ekonomike dhe duke keqpërdorur besimin e kompanisë, e ka dëmtuar kompaninë dhe buxhetin e komunës në mijëra euro, sepse i njëjti nuk ka lëshuar fare kupon fiskal për blerjet e konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Dyshohet se artikujt e blerë nga konsumatorët, fillimisht janë regjistruar nga i dyshuari, por për të përvetësuar paratë për nevojat e tij personale dyshohet se ai nuk e kishte printuar fare kuponin fiskal, që ishte detyrë dhe obligim i tij.
“I dyshuari i lartcekur me iniciale është intervistuar nga Policia në prani të avokatit të tij mbrojtës dhe në bazë të dyshimit të arsyeshëm, prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, për vepër penale “Keqpërdorimi i besimit” sipas kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.