Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dje i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2025. Raporti paraqet informata për performancën e përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) karshi detyrimeve dhe mandatit ligjor, si dhe reflekton progresin e arritur dhe adresimin e sfidave përgjatë vitit.
Sipas njoftimit, Spanca në fjalën e saj ka theksuar se edhe gjatë vitit 2025 ZKA-ja ka ushtruar mandatin e saj me pavarësi të plotë, integritet të lartë profesional dhe përgjegjësi institucionale. Përmes vlerësimeve të pavarura, objektive dhe të ndershme, ajo tha se ZKA kontribuoi në informimin e publikut dhe palëve të tjera të interesit, duke forcuar transparencën dhe inkurajuar një kulturë më të avancuar të llogaridhënies në sektorin publik.
“Ky angazhim është reflektuar qartë edhe në realizimin e plotë të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin 2024/2025, ku janë përfunduar 133 auditime, prej të cilave 104 financiare/të pajtueshmërisë, 14 të performancës, 12 të pajtueshmërisë dhe tre auditime me nivel të informacionit të klasifikuar. Ky rezultat dëshmon jo vetëm kapacitete të larta profesionale, por edhe pjekuri institucionale. Shtrirja e auditimeve në organizata me kompleksitet të lartë, e shoqëruar me vëmendje të shtuar ndaj monitorimit të zbatimit të rekomandimeve, flet për një orientim gjithnjë e më të qartë drejt ndikimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të qeverisjes publike”, citohet Spanca në komunikatë.
Më tej, Auditorja e Përgjithshme tregoi se gjetjet e auditimeve të ZKA-së vazhdojnë të evidentojnë dobësi strukturore në menaxhimin financiar dhe në sistemet e kontrollit të brendshëm. Ndonëse ka përmirësime në disa fusha, znj. Spanca theksoi se niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet nën pritshmëritë, prandaj nevojiten mekanizma më të fortë dhe më efektivë të përgjegjësisë institucionale. Në këtë aspekt mungesa e funksionimit të Kuvendit gjatë vitit 2025 ka ndikuar në ritmin e shqyrtimit parlamentar të raporteve të auditimit, duke reflektuar sfida që kërkojnë adresim për funksionimin e plotë dhe efektiv të ciklit të llogaridhënies demokratike.
Në funksion të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik është intensifikuar bashkëpunimi me organet e drejtësisë, duke referuar rastet me elemente potenciale të veprave penale të identifikuara gjatë auditimeve.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se pavarësisht sfidave, ZKA ka ruajtur stabilitetin institucional dhe ka avancuar sistemet e saj të brendshme. Ajo shtoi se ZKA vazhdon të fuqizohet dhe të prijë në rajon si institucion i besueshëm dhe me ndikim në jetën e qytetarëve, si dhe ka konsoliduar edhe më tej pozitën e saj si partner i besueshëm në rrjetin e Institucioneve Supreme të Auditimit.
Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2025 e gjeni këtu.
