Procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të bashkëakuzuarve të tjerë ka nxitur debat të fortë politik në Kosovë, sidomos pas nismave të fundit për përfshirjen e institucioneve shtetërore në çështjen e mbrojtjes së tyre. Përderisa një pjesë e politikës kërkon mbështetje më të madhe institucionale për të akuzuarit, juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, ngre shqetësimin se kjo qasje mund të sjellë pasoja juridike dhe diplomatike për vendin.
Në një prononcim për “Bota sot”, Musliu vë në pikëpyetje përpjekjet për ta krahasuar rastin e Thaçit me atë të gjeneralit kroat Ante Gotovina, duke theksuar dallimet mes dy proceseve gjyqësore.
Ai kritikon përfshirjen e institucioneve të Kosovës në hartimin e një strategjie për mbrojtjen e të akuzuarve dhe paralajmëron se, sipas tij, interesat shtetërore nuk duhet të vihen në rrezik për shkak të zhvillimeve që lidhen me fatin e individëve në Hagë.
“Mbrojtja institucionale e Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës me atë të Kosovës nuk mund të krahasohet, sepse nuk kanë asgjë të përbashkët. Gjeneralët dhe komandantët e këtyre dy shteteve kanë luftuar në beteja dhe në vijat e para të frontit kundër ushtrisë, paramilitarëve dhe forcave speciale policore të Serbisë, për ta mbrojtur popullatën civile dhe për ta çliruar vendin e tyre. Kurse katër të akuzuarit, siç kanë deklaruar edhe vetë, nuk kanë qenë pjesë e luftës dhe nuk kanë luftuar kundër ushtrisë serbe, por akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile”, deklaron Musliu.
Sipas tij, është e rëndësishme të bëhet dallimi mes gjykimit të individëve dhe përgjegjësisë kolektive të një organizate. Ai thekson se procesi në Hagë nuk duhet të interpretohet si gjykim i të gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por si proces gjyqësor ndaj personave të akuzuar.

Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu
“Në Hagë nuk po mbrohet e as nuk po gjykohet UÇK-ja, por individët. Prandaj, gjeneralët dhe komandantët e Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës nuk duhet të merren si shembull për të arsyetuar një strategji të njëjtë institucionale në Kosovë”, shprehet ai.
Musliu kritikon edhe vendimet e fundit të institucioneve të Kosovës lidhur me plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe iniciativat për hartimin e një qasjeje institucionale për mbrojtjen në apel të të akuzuarve. Sipas tij, këto veprime mund ta vendosin Kosovën përballë vështirësive në raportet me partnerët ndërkombëtarë.
“Konsideroj se përfshirja e institucioneve të Kosovës në procesin gjyqësor të Hagës paraqet një aventurë të pamatur dhe të rrezikshme, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Nëse Kosova ushtron juridiksion mbi këto Dhoma, atëherë çdo ndërhyrje e institucioneve në proces, sipas vlerësimit tim, mund të konsiderohet nga bashkësia ndërkombëtare si ndërhyrje në administrimin e drejtësisë”, deklaron juristi.
Ai vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë mbështetjen financiare për mbrojtjen juridike të të akuzuarve, në përputhje me dispozitat ligjore, por kërkon që kjo të bëhet pa cenuar pavarësinë e procesit gjyqësor dhe raportet me partnerët strategjikë.
“Qeveria e Kosovës i ka kryer rregullisht obligimet lidhur me pagesat e avokatëve për mbrojtjen juridike të të akuzuarve, duke shpenzuar miliona. Ajo duhet ta vazhdojë këtë ndihmë, por edhe të veprojë në mënyrë diskrete, duke mos i cenuar raportet me partnerët strategjikë”, thekson Musliu.
Në këtë kontekst, ai shpreh shqetësimin për kritikat që, sipas tij, institucionet e Kosovës po marrin nga Bashkimi Evropian, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të obligimeve ndërkombëtare dhe zotimeve të vendit ndaj partnerëve evropianë.
Në fund, Musliu ngre edhe çështjen e përgjegjësisë politike të institucioneve në rast se të akuzuarit shpallen fajtorë me aktgjykim të formës së prerë, pas përfundimit të të gjitha shkallëve të ankimimit.
“Çfarë nëse të akuzuarit, edhe pas ankesave në të gjitha nivelet e gjykatave, shpallen fajtorë me aktgjykim të formës së prerë? Si do të arsyetohen institucionet që kanë financuar dhe mbështetur, përmes një strategjie shtetërore, personat që gjykatat i kanë shpallur fajtorë? Çfarë do t’u thonë familjarëve të viktimave dhe atyre që kanë përjetuar dhunë nëpër burgjet e improvizuara?”, përfundon Skënder Musliu për “Bota sot”.
