Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Azemi i LDK-së: Kurti u kthye nga Brukseli si dështak

Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi ka komentuar takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Azemi ka thënë se Kurti vazhdimisht po është e më i dobët në procesin e dialogut.

“Është procesi për të cilin ka folur më së shumti e të cilin gjithnjë aspironte ta udhëhiqte, por Albin Kurti nga çdo takim në Bruksel po kthehet më dobët se herën paraprake”, ka shkruar Azemi.

Tutje, ai ka thënë se kryeministri Kurti po i pranon marrëveshjet që dikur i ka kundërshtuar.

“Në tavolinën e dialogut iu thotë “po” të gjitha atyre për të cilat të tjerët i akuzonte për tradhti, e pas takimeve, para mediave del e viktimizohet si qyqar. Herë vajton qysh pala tjetër s’po ia vlerëson konstruktivitetin e herë ankohet qysh ndërmjetësuesit ndërkombëtarë s’po ia mbajnë anën”, ka shkruar ai.

Azemi ka thënë se shefi i ekzekutivit u kthye nga takimi si dështak.

“Ndërkohë që mbi Kosovën rëndojnë sanksionet që janë derivat i veprime të matura e të pakoordinuara të tij. Kurti edhe sot u kthye nga Brukseli si dështak. Kosova me Kurtin në krye të dialogut s’po fiton asgjë në këtë proces. Fjalimet e gjata e të thata të tij, përveç duartrokitjeve të militantëve nuk sjellin asgjë të vlefshme. Qasja e tij vetëm po e stërkeq të ardhmen e vendit”, ka shkruar ai.