Lajme

Dështon samiti global për klimën pas bllokimit në lidhje me lëndët djegëse fosile

Bisedimet ndërkombëtare për klimën, të mbajtura në kuadër të COP31 në Turqi, kanë përfunduar pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Shkak për këtë u bënë mosmarrëveshjet mes vendeve pjesëmarrëse për përfshirjen e lëndëve djegëse fosile në dokumentin përfundimtar, të cilat konsiderohen ndër faktorët kryesorë që kontribuojnë në ngrohjen globale.

Drafti i propozuar nga lidershipi turko-australian u kundërshtua nga Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera, të cilat kërkuan angazhime më të qarta për reduktimin e përdorimit të këtyre burimeve të energjisë.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Klimën, Wopke Hoekstra, tha se blloku nuk mund ta mbështeste dokumentin në formën e propozuar, por theksoi se do të vazhdojë të jetë i përkushtuar ndaj procesit të negociatave.

“Nuk ka përgjigje tjetër përveç jo. Por kjo nuk do të thotë që ne do ta lëmë procesin, përkundrazi, ne do të vazhdojmë të investojmë, ndihemi të përkushtuar si kurrë më parë”, tha ai.

Megjithatë, një numër shumë më i madh i vendeve pjesëmarrëse mbështetën arritjen e një kompromisi, duke argumentuar se ruajtja e konsensusit ishte më e rëndësishme sesa mungesa e një marrëveshjeje të plotë.

Por, miratimi i dokumenteve përfundimtare në konferencat e OKB-së për klimën kërkon konsensus pothuajse unanim.

Për më shumë se dy dekada, marrëveshjet klimatike të Kombeve të Bashkuara nuk i përmendnin drejtpërdrejt lëndët djegëse fosile.

Kjo çështje nisi të përfshihej qartë në dokumentet përfundimtare vetëm në vitet e fundit.

Ndërsa draft-marrëveshja dështoi të merrte miratimin në seancën plenare, ministri turk i Mjedisit dhe presidenti i COP31, Murat Kurum, mungonte, duke ia lënë përfaqësuesit të Azerbajxhanit, Elchin Allahverdiyev, detyrën për të njoftuar dështimin e negociatave./teve1.info/

Të Ngjashme