Lajme

Gjilan: Dyshohet se mashtroi qytetarët duke pretenduar se vuante nga leukemia – mblodhi mbi 189 mijë euro

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet E.A., i dyshuar për veprën penale të mashtrimit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se që nga 9 nëntori i këtij viti kishte sajuar një histori të rreme, duke pretenduar se vuante nga sëmundja e “Leukemisë Akute”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Përmes një fushate të organizuar në platformën “GoFundMe”, ai dyshohet se kishte kërkuar ndihmë financiare nga qytetarët në Kosovë dhe diasporë, kinse për trajtim dhe rehabilitim mjekësor.

Nga ky aktivitet, sipas Prokurorisë, janë grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent. Megjithatë, pas verifikimit të historikut të tij shëndetësor, dyshohet se i njëjti nuk vuante nga sëmundja që pretendonte.

Pas pranimit të informacioneve të para, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore, duke bllokuar paratë e grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara në lidhje me rastin.

I dyshuari ishte vendosur në kërkim policor, ndërsa më 21 nëntor 2026, rreth orës 22:00, është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Të Ngjashme