Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka drejtuar një pyetje publike Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), lidhur me vazhdimin e licencës së kompanisë EFT të Vuk Hamoviqit.
Në një reagim në Facebook, Bajrami ka kërkuar të dijë nëse rilicencimi i kësaj kompanie vazhdon të jetë në rend të ditës së Bordit të ZRRE-së, apo është hequr nga agjenda.
“Më 23 tetor 2026, në rendin e ditës të mbledhjes së Bordit të ZRRE-së ishte edhe vazhdimi i licencës së EFT-së, por vendimmarrja u shty”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka rikujtuar se më 16 nëntor, Qeveria mori vendim për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe.
“Prandaj, ZRRE duhet të na përgjigjet publikisht: A e ka ende në rend dite rilicencimin e EFT-së apo e ka hequr nga rendi i ditës?”, ka pyetur deputetja e LDK-së.
