Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Balla reagon pas operacionit anti-drogë: Të ndiqen sa më shpejt “bosët”

Një megaoperacion droge i zhvilluar në Tiranë ka vënë në pranga pesë persona, në mesin e të cilëve asamblistin e VV-së në kryeqytet, Besnik Mujecin dhe një person tjetër nga Kosova.

Për operacionin në të cilin janë sekuestruar mbi 10 mijë doza ekstazi, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla.

Ky rast sipas Ballës nxjerr në pah nevojën e një lufte edhe më të ashpër ndaj këtij fenomeni, teksa ka shtuar se duhet të shkohet sa më shpejt tek “bosët” e drogës.

“Kjo është një betejë dhe një sfidë për policinë e çdo vendi dhe disa mund të thonë se është e vështirë, se edhe vendet e tjera e kanë këtë problem. Unë nuk mendoj kështu. Në javët e fundit janë goditur disa rrjete shpërndarësish lëndësh narkotike edhe pse duhen ndjekur fijet dhe duhet të shkohet tek “bosat” e tyre sa më shpejt”, ka shkruar Balla.

Balla ka thënë se policët duhet të marrin më shumë përgjegjësi teksa të rinjtë e të rejat bien në grackën e narkotikëve.

Ai ka thënë se duhet të shtohen perimetrat e kontrollit dhe sigurisë pranë shkollave.

“Pra duhet një QILIZËM KOMBËTAR për të pastruar sa të mundemi shpërndarjen e drogave pranë shkollave, pallateve dhe mjediseve të tjera publike. Duhet të rrisim sa të mundemi perimetrat e kontrollit dhe sigurisë rreth e pranë shkollave, ku rrjeta jonë të kapë me patjetër çdo keqbërës. Nëse Policia e Shtetit synon të kthehet në institucionin më të besuar, duhet pikësëpari të mos zhgënjejmë prindërit që presin prej nesh të parandalohet dhe luftohet shitja e drogave në përgjithësi dhe në afërsi të shkollave në veçanti. Prindërit në shtator kur të rifillojë viti shkollor do të na e ribesojnë ne këtë detyrë. Policia e Shtetit duhet ta mbajë fjalën dhe bëjë detyrën! E ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen dhe unë jam i motivuar të bëjmë më të mirën siç publiku pret prej nesh. Pres rezultate nga Policia e Shtetit!”, ka shkruar Balla.