Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

BE e shqetësuar për parregullsitë në zgjedhjet e Serbisë

Bashkimi Evropian pret që autoritetet e Serbisë t’i shqyrtojnë në mënyrë transparente raportet e besueshme për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Përmes një deklarate të përbashkët për media, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, thanë se në mesin e parregullsive gjatë zgjedhjeve parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi, përfshihen edhe ato të raportuara në kryeqytetin serb, Beograd dhe komuna të tjera.

“Ne marrim parasysh gjetjet preliminare dhe konluzionet e vëzhguesve ndërkombëtarë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë dhe Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut për zgjedhjet parlamentare serbe. Në dritë të këtyre gjetjeve, me shqetësim ne vijmë në përfundim se procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësim dhe reforma të mëtejme, pasi që funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është thelbi i procesit të pranimit të Serbisë në BE”, u tha në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varheyit, përcjell Rel.

Dy zyrtarët e lartë evropianë i bënë thirrje udhëheqjes politike serbe që të sigurojë një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në të gjithë spektrin politik.

Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiq, ka shpallur fitoren në të gjitha nivelet.

Por, partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” kanë kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale në Beograd, duke argumentuar se për shkak të parregullsive të shumta, rezultatet zgjedhore nuk e reflektojnë vullnetin e qytetarëve.

Partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, kanë thënë se në zgjedhjet lokale në Beograd ka pasur shumë parregullsi, dhe se rezultatet nuk e reflektojnë vullnetin e qytetarëve.

Edhe nga vëzhguesi zgjedhor serb, CRTA, kanë deklaruar se rezultatet në Beograd nuk pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Republikan Zgjedhor, lista zgjedhore “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet” ka fituar 46.71 për qind, pasur nga lista “Serbia kundër dhunës” me 23.58 për qind.

E treta është radhitur lista “Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë” me 6.57 për qind të votave. Më pas vjen “Shpresa për Serbinë” me 5.03 për qind dhe “Ne – Zëri i Popullit” me 4.69 për qind.