Lajme

BE kritikoi vendimin për prokurorët serbë, ngrihen pikëpyetje: A ka vend për një reagim të tillë?

 

Bashkimi Evropian kritikoi vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë.

Përmes një deklarate, një zëdhënës i bllokut evropian tha se vendimi i Haxhiut, por edhe i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk “duket të jenë në përputhje me ligjin”, duke kujtuar se prokurorët veçse kishin njoftuar për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.

“Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, tha zëdhënësi.

Më herët gjatë 21 korrikut, Haxhiu njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.

“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Vendimi i Bashkimit Evropian për të kritikuar institucionet e Kosovës lidhur me lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë ka hapur një debat të gjerë mbi mënyrën se si duhet të trajtohen çështjet e drejtësisë, integrimit institucional dhe ndikimit të politikës në sistemin gjyqësor.

Prokurorët në fjalë ishin larguar nga institucionet e Kosovës në vitin 2022, në kuadër të dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë, të cilat ishin të nxitura dhe të koordinuara politikisht nga Beogradi.

Reagimi i BE-së ngre dilema mbi balancën mes respektimit të shtetit të së drejtës dhe nevojës për të mbrojtur funksionalitetin e institucioneve të Kosovës.

Burjani: Të jesh njëkohësisht gjyqtar ose prokuror dhe të merresh me politikë nuk shkon bashkë

E në lidhje me këtë reagim të BE, për “Bota sot” foli juristi Blerim Burjani, i cili kritikoi BE-në për qasjen e saj, duke rikujtuar se piëkrsihst prokurorët serbë dhanë dorëheqje për qëllime politike.

Ai potencoi se BE duhet të jetë më korrekte e profesionale me vlerësimin e saj dhe ta prëkrahte Kosovën në këtë çështje

“Së paku, BE-ja do të duhej të dukej më e sinqertë në kuptimin e etikës profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, të cilët e lanë punën pa asnjë arsyetim dhe pa asnjë motiv profesional, por vetëm për motive politike. Të jesh njëkohësisht gjyqtar ose prokuror dhe të merresh me politikë nuk shkon bashkë.

Prandaj, kërkohet së paku që BE-ja të jetë korrekte në vlerësimin e saj, të mos e shikojë çështjen nga prizmi politik, por nga ai profesional, sidomos kur bëhet fjalë për ndarjen e drejtësisë. Do të ishte më e drejtë të përkrahte Kosovën ose, së paku, toni i saj të ishte profesional dhe jo politik në fushën për të cilën flet”.

Krahas kësaj, ai kërkoi që të respektohet Kosova dhe rendi i saj ligjor dhe kushtetues.

Sipas tij, sa më shumë përkëdhelje nga ana e BE për serbët, aq më keq për rendin dhe ligjin në Kosovë.

“Kosova ka vetëm një rrugë: t’i kthejë ata në sistem vetëm nëse e pranojnë shtetin, rendin dhe ligjin. Përndryshe, le të mbeten të paintegruar me vullnetin e tyre. Ata nuk japin asnjë garanci se pas një kohe nuk do ta lënë sërish punën dhe të kthehen në politikë, pa respektuar ligjet e Kosovës.

Image
Blerim Burjani

Kjo është jo serioze. Sa më shumë përkëdhelje, aq më keq për rendin dhe ligjin në Kosovë.

Kosova duhet të respektohet, si edhe rendi i saj ligjor dhe kushtetues. Nuk duhet të bëhet “taravi”. Loja ka rregulla ligjore dhe askush nuk mund ta lërë punën kur të dojë e të kthehet kur t’i teket.

Kështu nuk ndodh as në shtetet e BE-së dhe as askund tjetër.

Shteti nuk është fëmijë që të luhet me të. Ai ka rend dhe ligj, procedura dhe rregulla të qarta që duhet të respektohen nga të gjithë”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.

Qarri: Është i habitshëm fakti sesi Bashkimi Evropian ka një qëndrim të tillë

Kurse, analisti politik, Gani Qarri u shpreh i befasuar me heshtjen e BE-së ndaj deklaratave skandaloze të ministers serbe, Snezhana Paunoviq, derisa për një dekretim të një vendimi ligjor të reagojë me kritika të ashpra ndaj Kosovës.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” mbështeti të gjitha veprimet dhe vendimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për shtrirjen e ligjit dhe sovranitetit në veri të vendit.

“Është më tepër se i habitshëm fakti sesi Bashkimi Evropian, edhe pas deklaratave skandaloze të ministres ekstremiste të Qeverisë së Serbisë dhe të preferuarës së Aleksandër Vuçiqit, Snezhana Paunoviq se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar Kosovën etnikisht” nga shqiptarët, ti kalojë pothuajse në heshtje deklaratat e saj dhe të hidhet në akuza të pabazuara, kundër vendimeve ligjore e Kushtetuese të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, për zbatimin e rendit e të ligjit si dekreti i ushtrueses së presidentes zonjës Albulena Haxhiu, për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e integritetit të institucioneve më të rëndësishme të shtetit Kosovës, në vend se ta mbështeste Kosovën në funksionalizimin e sistemit të saj të drejtësisë.

Ani pse Qeveria e vendit tonë solli vendimin e drejtë kushtetues për zëvendësimin e targave ilegale të makinave të lëshuara nga Serbia në targa legjitime RKS të Republikës së Kosovës dhe rivendosjen e rendit e të ligjit edhe në veriun e vendit tonë, të paraparë edhe në marrëveshjet e arritura në Bruksel, nën diktatin e presidentit serb dhe ish ministrit të informatave të Qeverisë së kasapit Millosheviq, kriminelit Aleksandër Vuçiq , përkundër faktit se ishte një akt i kundërligjshëm dhe ndërhyrje flagrante e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës, dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë e ashtuquajtura “listë serbe” më 5 nëntor të vitit 2022 urdhëroi largimin e serbëve të punësuar në institucionet e Republikës së Kosovës, veprim të cilin nuk e parandaloi atëbotë as BE”, nënvizoi analisti.

Krahas kësaj, Qarri ritheksoi faktin se prokurorët dhe gjyqtarët serbë dhanë dorëheqje me vetëdëshirë dhe krejtësisht për çështje politike, ku një vendim të tillë e morën në koordinim me qeverinë e Boegradi.

Me këtë rast, ai vlerëson se kritikat e BE-së nuk qëndrojnë dhe se institucionet e Kosovës vepruan në mënyrë të drejtë dhe ligjore kur refuzuan rikthimin në punë të prokurorëve serbë.

“Duke qenë se edhe prokurorët nga pakica serbe po në nëntor të vitit 2022, pranuan urdhrin e Beogradit dhe dhanë dorëheqje pa asnjë presion nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, më 21 korrik të këtij viti, presidentja në detyrë zonja Albulena Haxhiu, me të drejtë nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve të tillë, gjë që është akt normal dhe plotësisht i rregullt ligjor.

Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, paraprakisht kishte refuzuar kërkesën e prokurorëve “pishmangjinj” serb, për tërheqjen e dorëheqjeve, të paraqitura mese 4 vite më parë, me urdhër të Aleksandër Vuçiqit nga Beogradi dhe vullnetin e tyre personal, pa asnjë presion nga institucionet e Republikës së Kosovës, kur zyrtarët e pakicës serbe nga veriu i vendit tonë me diktat nga Serbia u larguan kolektivisht nga institucionet e Republikës së Kosovës, kështu që për të hyrë në fuqi vendimi ligjor i Këshillit Prokurorial të Kosovës, e dhënë fund mbajtjes peng të funksionimit normal të institucioneve dhe mënjanimit të paqartësive juridike përmes proceseve të papërfunduara, ishte i nevojshëm dekreti i ushtrueses së detyrës së presidentit, zonjës Albulena Haxhiu.

Prandaj dhe nuk ka vend për kritika nga BE, derisa prokurorët e pakicës serbe në nëntor të vitit 2022 vetëm pse Qeveria e Kosovës solli vendimin e domosdoshëm ligjor për zëvendësimin e targave ilegale serbe të automjeteve të lëshuara nga Serbia, me targa legjitime të Republikës së Kosovës, ashtu siç parashihej edhe me marrëveshjet e arritura ndërmjet të dy vendeve në Bruksel, me urdhër të Vuçiqit nga Beogradi dhe vullnet personal, pa asnjë presion nga institucionet shtetërore të vendit tonë, kishin dhënë dorëheqje me vet-dëshirë nga sistemi i drejtësisë së Kosovës”.

Më tej, analisti vazhdoi me kritika ndaj BE-së dhe qasjes së saj, derisa përgëzoi Haxhiun për dekretimin e vendimit të KPK-së.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, me nënshkrimin e dekreteve nga Haxhiu, po dëshmohet se Kosova do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Me nënshkrimin e dekreteve për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga pakica serbe, të vet-dorëhequr me diktate nga Beogradi dhe të larguar me vet-dëshirë nga institucionet e Republikës së Kosovës, pavarësisht reagimeve me standarde të dyfishta të BE-së, e cila nuk ka marrë mundin ta parandalojë asnjë veprim kriminal e të kundërligjshëm të kriminelëve serb në veri të vendit tonë, është e habitshme dhe papërgjegjësi e llojit, të deklarohet kundër vendimit të presidentes në detyrë, zonjës Albulena Haxhiu e cila siç shprehet edhe vet, vetëm sa zbatoi vendimin e institucionit kompetent në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, për përmbylljen e këtij procesi të stërzgjatur për vite me radhë.

Bashkimi Evropian shihet publikisht se kritikon pa asnjë arsye vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, të cilët në emër të dorëheqjeve kolektive, qysh në nëntor të vitit 2022.

Prandaj me nënshkrimin e dekreteve të ushtrueses së presidentes zonjës Albulena Haxhiu, po dëshmohet se Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, në mbrojtje të integritetit të institucioneve më të rëndësishme të shtetit të Kosovës, i cili vetëm një vit më parë zuri vendin e parë në Evropë dhe të tretin në Botë për rend dhe ligj, gjë që dëshmon se sa realiste dhe të drejta ligjërisht janë edhe vendimet si dekretet e zonjës Haxhiu”.

Në fund, Qarri shtoi se Akti i përmbylljes së një procesi të tillë të stërzgjatur për vite me radhë do duhej të mbështetej nga BE dhe jo të kritikohej.

“Kosova nuk mund të vepronte ndryshe derisa edhe vet ish drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, kishte refuzuar zbatimin e vendimit kompetent institucional derisa edhe dorëheqjet e prokurorëve serbë mbeten të motivuara politikisht e të koordinuara me Serbinë.

Akti i përmbylljes së një procesi të tillë të stërzgjatur për vite me radhë me dekretin presidencial në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës” edhe nga vet BE duhet të përshëndetet si vendim në përputhje me procedurat ligjore dhe parimet e shtetit të së drejtës, derisa Ura kryesore e Ibrit në Mitrovicë përkundër marrëveshjes së arritur në Bruksel para shumë vitesh, po me ndërmjetësimin e vet BE-së, akoma vazhdon të mbahet padrejtësisht për dekada e mbyllur, pa asnjë arsye dhe asnjë shpjegim”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

Të Ngjashme