Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

BE thotë se masat kundër Kosovës kanë hyrë në fuqi, Stano: Disa tjera po diskutohen

Bashkimi Europian i ka marrë masat e para ndaj Kosovës për shkak se kryeministri Albin Kurti nuk i pranoi kërkesat e Brukselit për shtensionimin e situatës në veri.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano tha në një konferencë për media se disa masa tashmë kanë hyrë në fuqi, ndërsa tha se BE-ja s’e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera.

“Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi menjëherë. Disa prej tyre janë ende duke u diskutuar dhe vendet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”, tha Stano.

Zëdhënësi i BE-së tha se masat e marra ndaj Kosovës nuk janë sanksione apo masa kufizuese në aspektin klasik.
Stano konfirmoi të martën për Express se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ua kishte prezantuar shteteve anëtare masat që duhet të merreshin nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të ndërmerrte hapa për ta de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës.