Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar të dielën në Tetovë, ku është pritur nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami. Në takim ishte i pranishëm edhe Izet Mexhiti, një nga drejtuesit e koalicionit VLEN.
Sipas Kasamit, ai dhe Mexhiti e kanë njoftuar Kurtin për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, për përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend dhe për bashkëpunimin rajonal.
Në një postim në Facebook pas takimit, Kasami e ka quajtur Kurtin “mikun e madh të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”.
Ai i ka vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe si shumë të mira dhe ka theksuar se në qendër të bisedës ishin projektet infrastrukturore që lidhin Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, nëntori i gjen të përqendruar në punë dhe në projekte të përbashkëta, në të mirë të qytetarëve.
Të njëjtën ditë, zëvendësministrja e Transportit e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, njoftoi se me kryeministrin Kurti ka diskutuar për hapat e ardhshëm të rrugës Tetovë–Prizren, një nga projektet kryesore që synojnë ta afrojnë më shumë Tetovën me Kosovën.
