Durim Halilaj, anëtar i Kryesisë së Aleancës, ka reaguar lidhur me rritjen e borxhit të familjeve në Kosovë përmes mbitërheqjeve bankare (overdraft).
Duke iu referuar të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Halilaj ka bërë të ditur se ky borxh është rritur nga 58,5 milionë euro në dhjetor 2020, në 127,6 milionë euro në shtator 2026 ose 69,1 milionë euro më shumë apo 118,1 për qind.
Halilaj ka theksuar se kjo rritje nuk dëshmon vetvetiu varfërim, por përbën një sinjal që kërkon përgjigje.
“Nuk mund të flasim për rritje ekonomike, nëse qytetari nuk e ndjen atë në buxhetin e tij familjar. Qëllimi duhet të jetë rritja e të ardhurave reale dhe zvogëlimi i nevojës për huamarrje afatshkurtër”, ka shkruar Halilaj.
Ai ka vlerësuar se një ekonomi e fortë duhet të krijojë kushte që qytetarët të jetojnë më mirë nga puna dhe të ardhurat e tyre, e jo të bëhen gjithnjë e më të varur nga borxhi.
