Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Begaj: Sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se ka dhënë mbështetjen për Kosovën duke theksuar se sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm.

Ai tha se Kosovës i ka bërë thirrje vëllazërore që të ketë durim e koordinim me partnerët strategjik.

Në konferencën e përbashkët me homologun e tij estonez, Begaj tha  që prej nisjes së incidenteve e deri më tani ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet atje, komandantin e KFOR dhe presidentë të tjerë të rajonit.

“Komunikimi im me Kosovën është i vazhdueshëm, me autoritetet më të larta, me komandantin e KFOR dhe me presidentët rajonalë. Kam shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe kam vënë theksin te zbatimi i marrëveshjeve të dakordësuara publikisht, e përsëris që për mua sovraniteti i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm dhe ndërtimi i institucioneve demokratike atje është i domosdoshëm. Kam bërë një thirrje vëllazërore për autoritetet e Kosovës që të kenë durim, maturi dhe duhet të koordinohen me partnerët tanë strategjikë. Dhuna nuk është zgjidhja, konflikti i dhunshëm nuk duhet të jetë asnjëherë opsion, i vetmi opsion duhet të jetë dialogu”, u shpreh Kreu i Shtetit./tvklan.al/