Kryedemokrati Sali Berisha i është përgjigjur propozimeve dhe diskutimeve të aleatëve politikë gjatë takimit në selinë blu, duke u ndalur te qëndrimi që duhet të mbajë opozita ndaj institucioneve. Ai argumentoi se braktisja e Kuvendit do t’i shërbente Edi Ramës, ndaj kërkoi që beteja opozitare të zhvillohet brenda tyre.
Sali Berisha u ka theksuar aleatëve opozitarë se paralelisht protestat duhet të përdoren si mjeti kryesor për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, duke treguar se as vetëm nga SPAK nuk mund të pritet.
“Kështu kemi të bëjmë me një njeri që e do me çdo kusht opozitën jashtë institucioneve. Kur të doni marrim vendimet dhe i diskutojmë, por dalja e opozitës jashtë institucioneve i shërben vetëm atij. Vetëm një gjë, ua them me përgjegjësi të plotë, dalja është interesi i tij absolut. Atë do.
Kjo është, ky është realiteti shqiptar. Ndaj dhe këtu rruga e vetme është protesta për largimin e tij. Zgjidhje tjetër, ne këtu do jemi… por të presësh se atë do ta largojë SKAP-i, nuk e largon kurrë, nuk i afrohet dot kurrë”, është shprehur Sali Berisha.
Propozimin e Sali Berishës për protesta e ka mbështetur edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili i ka bërë thirrje PD-së dhe aleatëve opozitarë që të organizojnë një protestë kombëtare në ditën kur pritet të votohet në Kuvend drafti i PS-së për Reformën Territoriale.
Gjatë tryezës me aleatët opozitarë, Blushi tha se protesta nuk duhet të kufizohet vetëm te banorët e 15 bashkive që parashikohet të preken nga reforma, por të shtrihet në të gjithë vendin, ndaj kërkon që më 8 Tetor opozita të dalë në protestë.
“Opozita duhet t’u prijë protestave dhe seanca e thirrur të enjten është një mundësi që të gjithë shqiptarët, jo vetëm banorët e 15 bashkive, të mblidhen atë ditë para Kuvendit të Shqipërisë, për t’i treguar këtij kryeministri se zot në Republikën e Shqipërisë janë vetëm shqiptarët”, ka thënë Tedi Blushi.
