Lajme

BE-ja kërkon disiplinë më të madhe fiskale nga Kosova, thekson sfidat dhe jep rekomandime për buxhetin e vitit 2027

Përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian kanë diskutuar për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend, reformat strukturore dhe sfidat në procesin e integrimit evropian.

Takimi i tetë i Nënkomitetit për Çështje Ekonomike dhe Financiare dhe Statistika, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, u mbajt më 19 nëntor në Prishtinë.

Gjatë takimit, palët shqyrtuan zhvillimet ekonomike në Kosovë, politikat buxhetore dhe fiskale, mjedisin e biznesit, menaxhimin e financave publike, statistikat dhe kontrollin e brendshëm financiar publik.

Vëmendje e veçantë iu kushtua përgatitjes së buxhetit për vitin 2027, rritjes ekonomike, investimeve të huaja direkte, inflacionit dhe zhvillimeve në tregun e punës.

Komisioni Evropian theksoi nevojën që Kosova të ruajë stabilitetin makrofiskal, duke respektuar kufijtë e shpenzimeve dhe deficitit të përcaktuar me rregullat fiskale. Po ashtu, BE-ja kërkoi që prioritet t’u jepet shpenzimeve transformuese, të cilat kontribuojnë në rritjen ekonomike.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte miratimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, pas përfundimit të periudhës së jostabilitetit institucional, me qëllim përcaktimin e një strategjie të qartë fiskale dhe lidhjen më të mirë të saj me procesin vjetor të buxhetit.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe reformat për përmirësimin e mjedisit të biznesit, sistemit energjetik dhe privatizimit, si dhe masat për zhvillimin e sektorit privat, digjitalizimin e regjistrimit të bizneseve dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

BE-ja vlerësoi progresin në mbikëqyrjen financiare, por theksoi nevojën për forcimin e qeverisjes së ndërmarrjeve publike.

Ndërkaq, në kuadër të diskutimeve për lëvizjen e lirë të kapitalit, Bashkimi Evropian mirëpriti aplikimin e Kosovës për përfshirje në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), pas përafrimit të mëtejshëm të kornizës ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Palët trajtuan edhe rëndësinë e statistikave të besueshme për hartimin e politikave ekonomike, duke vënë në pah nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Në këtë drejtim, u theksua veçanërisht nevoja për sigurimin e burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për Regjistrimin e Bujqësisë, i cili është shtyrë për vitin 2027.

Sa i përket kontrollit financiar, BE-ja kërkoi përshpejtimin e reformave për krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës të kontrollit të brendshëm financiar publik, përmirësimin e zbatimit të rekomandimeve të auditimit të jashtëm dhe forcimin e kapaciteteve të auditimit të brendshëm.

Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, duke vazhduar mbështetjen për reformat që synojnë përafrimin e vendit me standardet dhe politikat e BE-së.

Për më shumë lexoni njoftimin e plotë:

Më 19 nëntor, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian mbajtën në Prishtinë takimin e tetë të Nënkomitetit për Çështje Ekonomike dhe Financiare dhe Statistika, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Takimi vjetor ofroi mundësi për të shqyrtuar zhvillimet ekonomike dhe financiare në Kosovë, për të shkëmbyer pikëpamje mbi politikat buxhetore dhe fiskale, si dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit në mjedisin e biznesit, kornizën strategjike të menaxhimit të financave publike, statistikat dhe kontrollin e brendshëm financiar publik. Takimi shërbeu gjithashtu për të vlerësuar progresin e Kosovës në këto fusha si pjesë e procesit të integrimit në BE, me vëmendje të veçantë ndaj zbatimit të rekomandimeve të përcaktuara në Paketën e Zgjerimit 2026 të Komisionit Evropian.

Diskutimet mbi politikat ekonomike dhe fiskale përfshinë rritjen dhe strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), investimet e huaja direkte, inflacionin, zhvillimet në tregun e punës dhe bilancin financiar të jashtëm. Pjesëmarrësit shqyrtuan gjithashtu perspektivën e politikës fiskale të Kosovës, përfshirë vlerësimin e rreziqeve dhe sfidave fiskale, si dhe përgatitjen e buxhetit për vitin 2027. U theksua nevoja për miratimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve pas përfundimit të periudhës së jostabilitetit institucional, me qëllim përcaktimin e një strategjie të qartë fiskale dhe forcimin e lidhjes së saj me procesin vjetor buxhetor, duke përmirësuar njëkohësisht konsultimet dhe përfshirjen e aktorëve të shoqërisë civile.

BE-ja nënvizoi nevojën për të ruajtur stabilitetin makrofiskal përmes respektimit të kufijve të shpenzimeve dhe deficitit të përcaktuar nga rregullat fiskale, duke u dhënë përparësi shpenzimeve transformuese që nxisin rritjen ekonomike.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu reformat strukturore që synojnë forcimin e kapacitetit të Kosovës për t’u përballur me presionin konkurrues dhe forcat e tregut. Diskutimet përfshinë mjedisin e biznesit, sistemin energjetik të Kosovës dhe privatizimin, si dhe progresin në reformat që synojnë nxitjen e zhvillimit të sektorit privat, digjitalizimin e procesit të regjistrimit të bizneseve të reja dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte produktive. BE-ja vuri në dukje progresin e arritur në mbikëqyrjen financiare dhe theksoi nevojën për forcimin e qeverisjes së ndërmarrjeve publike.

Takimi trajtoi më tej zhvillimet e fundit lidhur me lëvizjen e lirë të kapitalit. BE-ja mirëpriti aplikimin e fundit të Kosovës për t’u përfshirë në fushëveprimin gjeografik të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), të dorëzuar pas përafrimit të mëtejshëm të kornizës së saj për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Sa u përket statistikave, pjesëmarrësit riafirmuan se të dhënat e besueshme dhe cilësore janë të domosdoshme për hartimin e politikave ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në dëshmi. Ata theksuan rëndësinë e përmirësimit të qasjes në burimet e të dhënave administrative dhe sigurimit të përdorimit sistematik të tyre.

Diskutimet theksuan gjithashtu nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, veçanërisht duke siguruar burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për Regjistrimin e Bujqësisë, i cili është shtyrë për vitin 2027.

Sa i përket kontrollit financiar, BE-ja theksoi rëndësinë e përshpejtimit të përpjekjeve për të siguruar një sistem gjithëpërfshirës të kontrollit të brendshëm financiar publik. Diskutimet nxorën në pah gjithashtu nevojën urgjente për të përmirësuar zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm, për të forcuar kapacitetet e auditimit të brendshëm dhe për të përmirësuar transparencën e përgjithshme të raportimit në Kosovë.

Si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, BE-ja vazhdon bashkëpunimin me Kosovën në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, duke e ndihmuar atë në zbatimin e reformave që e afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian. 

Të Ngjashme