Lajme

Si ndodhi vrasja në Suharekë? Gjykata zbulon detaje tronditëse nga ngjarja

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Rrahman Hotit, i dyshuar për vrasjen e rëndë të ndodhur më 18 nëntor në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit mund të zgjasë deri më 18 dhjetor 2026, ndërsa i dyshuari po hetohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor, rreth orës 12:00, pas një mosmarrëveshjeje të çastit lidhur me parkimin e automjeteve.

I dyshuari Rrahman Hoti dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri të llojit “Sig Sauer” në drejtim të viktimës S.D., fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas edhe pasi kishte hapur dyert e tij.

Në momentin e të shtënave, pranë viktimës ndodheshin edhe bashkëshortja dhe vajza e tyre e mitur, jeta e të cilave, sipas Prokurorisë, është vënë në rrezik.

Viktima fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore në QKMF në Suharekë, e më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga vendi i krimit, por më vonë është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia ka sekuestruar armën e dyshuar të krimit, dy karikatorë dhe 24 fishekë, ndërsa në banesën e tij janë gjetur edhe 47 fishekë të tjerë.

Një tjetër detaj i rëndësishëm i bërë publik nga Gjykata është se Rrahman Hoti rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurit, duke marrë parasysh edhe faktin se ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes pas të shtënave.

Sipas Gjykatës, duke pasur parasysh peshën e veprave penale, rrethanat e ngjarjes dhe fazën fillestare të hetimeve, paraburgimi është masa e nevojshme për të siguruar praninë e të pandehurit dhe zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

I pandehuri konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Të Ngjashme