Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vazhduar aksionin për rrënimin e ndërtimeve pa leje në zonat përreth liqeneve akumuluese në Kosovë.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se pas përfundimit të rrënimit të ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit, inspektorati i ministrisë ka nisur aksionin edhe në zonën përreth Liqenit të Ujmanit.
Sipas Pacollit, në këtë fazë janë përfshirë gjashtë objekte të ndërtuara pa leje, prej të cilave katër veranda dhe dy shtëpi.
Ajo ka paralajmëruar se aksioni do të vazhdojë edhe në zonat përreth liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.
Përmes një postimi, Pacolli ka theksuar se mbrojtja e liqeneve dhe burimeve ujore është përgjegjësi e përbashkët, duke paralajmëruar se nuk do të tolerohen ndërtime të paligjshme që cenojnë pasuritë natyrore.
“Ligji do të zbatohet pa përjashtim!”, ka deklaruar ministrja Pacolli, duke bërë të qartë se aksioni për largimin e ndërtimeve pa leje do të shtrihet edhe në zonat e tjera ujore të vendit.
