Kuvendi i Kosovës miratoi mbrëmë në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh.
Pas miratimit, Qeveria ka bërë të ditura prioritetet kryesore të buxhetit, duke theksuar se synohet rritja e mirëqenies së qytetarëve, përmirësimi i shërbimeve publike dhe zhvillimi ekonomik i vendit, raporton Indeksonline.
“Buxheti prej 4.27 miliardë eurosh synon rritjen e mirëqenies së qytetarëve, forcimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke ruajtur stabilitetin fiskal”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndër prioritetet kryesore të këtij buxheti veçohet ndarja e 908 milionë eurove për komunat, mbi 1 miliard euro për investime kapitale, paga e 13-të për punonjësit publikë, si dhe rritja e koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku i vitit 2027.
Po ashtu, parashihet rritja graduale e shtesave për fëmijë, me synim dyfishimin e tyre deri në vitin 2030.
Investime janë planifikuar edhe në sektorin e shëndetësisë, infrastrukturën rrugore, sigurinë ujore, mbrojtjen e mjedisit, sportin dhe turizmin. Në mesin e projekteve të përmendura janë edhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, themelimi i një kompanie kombëtare ajrore dhe zhvillimi i resorteve turistike.
“Ky buxhet synon ta kalojë Kosovën nga faza e rritjes ekonomike në atë të transformimit ekonomik, përmes investimeve publike e private, krijimit të vendeve të punës dhe shpërndarjes më të gjerë të përfitimeve ekonomike te qytetarët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
