Lajme

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Pejë mohon ndikimin politik në rastin e Arlinda Zekajt

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktari, ka mohuar se ka ushtruar presion ndaj Arlinda Zekajt për ta tërhequr ankesën ndaj Qendrës për Punë Sociale.

Duke dëshmuar para Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt, Mujaj-Bajraktari tha se Qendra për Punë Sociale në Pejë nuk e kishte vlerësuar Arlinda Zekajn si viktimë me shkallë të lartë të rrezikshmërisë. Ndërkaq, mohoi gjithashtu se në rastin e saj ka pasur ndikim politik.

Sipas saj, trajtimi institucional i rastit ishte përqendruar kryesisht te fëmija, ndërsa, sipas informacioneve që kishte, Arlinda Zekaj nuk kishte deklaruar se ishte në rrezik.

Mujaj-Bajraktari: Arlinda Zekaj asnjëherë në QPS nuk kishte deklaruar se ishte në rrezik për jetën

“Në rastin konkret, asnjëherë Qendra për Punë Sociale nuk ka potencuar se viktima është në suaza të rrezikshmërisë së lartë. Koncepti i trajtimit të rastit të fundit është trajtuar në pjesën dërrmuese kah fëmija. Sipas informacioneve që kam, viktima asnjëherë nuk ka deklaruar se është rrezikuar”, tha ajo.

E pyetur nga deputeti Adnan Rrustem nëse kishte ushtruar presion ndaj Arlinda Zekajt për ta tërhequr ankesën, drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Albulena Mujaj-Bajraktari, e mohoi një gjë të tillë.

Ajo sqaroi se ankesa nuk i ishte dorëzuar personalisht, pasi ankesat administrative protokollohen në Qendrën për Shërbim me Qytetarë dhe më pas përcillen te drejtoritë përkatëse.

Mujaj-Bajraktari konfirmoi se ishte takuar me Arlindën më 10 korrik, pas paraqitjes së rastit në Polici. Sipas saj, gjatë takimit viktima kishte shprehur shqetësime për trajtimin e rastit nga Policia dhe vlerësimin profesional, si dhe kishte kërkuar që në trajtimin e çështjes të ishte e pranishme edhe Ambasada Amerikane.

Ajo tha se për këtë takim kishte ftuar udhëheqësin e Shërbimeve Sociale, i cili e kishte udhëzuar Arlindën që ankesat t’i paraqiste me shkrim.

Mujaj-Bajraktari mohon se i ka bërë presion Arlinda Zekajt për ta tërhequr ankesën nga QPS-ja

“Po. Jo, është absolutisht e pavërtetë. Jo, kjo gjë mund të vërtetohet. Ankesat në anën administrative dorëzohen te Qendra për Shërbim me Qytetarë. Protokollohen dhe u dërgohen drejtorive gjegjëse. Një shkresë që iu drejtohet juve në emër të përveçëm. Po, është e vërtetë, pasi është drejtuar gabimisht, se unë nuk ushtroj detyrën e Qendrës për Punë Sociale. Ankesën unë nuk e kam pranuar. Patjetër. Takimi ynë ka ndodhur pas paraqitjes së rastit në Polici. Rasti është paraqitur më datën 10 korrik dhe Arlinda ka ardhur menjëherë ditën e hënë dhe e kam pritur. Njëkohësisht, secili qytetar që kërkon takim me mua, jam e gatshme ta pres. Arlinda ka shprehur shqetësime për trajtimin e rastit në Polici, ku ka qenë prezent edhe zyrtari për shërbime sociale. Ka kërkuar që rasti të trajtohet me prezencën e Ambasadës Amerikane dhe ka shprehur shqetësim në aspektin profesional të vlerësimit. Menjëherë, si e kam kuptuar arsyen e takimit, e kam ftuar udhëheqësin e Shërbimeve Sociale, në cilësinë e profesionistit, për ta udhëzuar palën se çfarë ka të drejtë dhe cilat janë procedurat në vijim. Ai e ka udhëzuar Arlindën që të gjitha ankesat t’i drejtojë me shkrim. Takimi ka qenë verbal dhe nuk mund të mbaj procesverbal, pasi takimi ka ndodhur aty, brenda zyrës”, theksoi Mujaj-Bajraktaraj

Ndërkaq, e pyetur nga deputetja Doarsa Kica-Xhelili nëse rasti ishte trajtuar në mënyrë të njëanshme nga Policia apo Qendra për Punë Sociale, Mujaj-Bajraktari tha se Arlinda Zekaj kishte shprehur pakënaqësi për mënyrën e trajtimit.

Kica-Xhelili: A ka pretenduar Arlinda Zekaj se rasti po trajtohet në mënyrë të njëanshme nga Policia apo QPS-ja?

“Rasti i njëanshëm nga Policia apo QPS-ja?”, pyeti ajo.

Ajo u mbështet në raportet dhe informacionet që kishte, duke thënë se zyrtari kujdestar atë natë kishte vepruar duke vlerësuar rrezikshmërinë e paraqitur nga vetë fëmija, i cili kishte deklaruar se nuk dëshironte të shkonte aty ku ndodhej nëna.

Sipas Mujaj-Bajraktarit, vendimi ishte bazuar edhe në vullnetin e fëmijës, ndërsa shtoi se raporti i inspektimit të Ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale kishte konstatuar se zyrtari kishte vepruar në përputhje me ligjin.

Policia apo QPS-ja në Pejë e kanë trajtuar rastin e Arlinda Zekajt në mënyrë të njëanshme? Kjo është përgjigjja e Mujaj-Bajraktaraj

“Në përgjithësi e ka cekur se rasti është trajtuar në mënyrë të njëanshme. Në kuptimin se në Polici ka qenë edhe punëtori social. Në bazë të raporteve dhe informacioneve që kam, zyrtari kujdestar atë natë ka vepruar duke vlerësuar rrezikshmërinë e paraqitur nga vetë fëmija, në këtë rast, i cili ka deklaruar pse nuk dëshiron të shkojë atje ku është nëna. E keni deklaratën e fëmijës. Pjesa tjetër, pjesa e vullnetit të fëmijës. Ligjërisht kjo është në rregull dhe, përkundër kësaj, edhe raporti i inspektimit në Ministrinë e Familjes e ka konstatuar se zyrtari ka vepruar ligjërisht”, potencoi ajo.

Krahas kësaj, e pyetur nga anëtarët e komisionit, ajo mohoi edhe ndikimin politik në rastin e Arlinda Zekajt.

Mujaj-Bajraktari: Në rastin e Arlinda Zekajt nuk ka pasur ndikim politik

“A ka pasur ndikim politik në këtë rast? Jo, në këndvështrimin tim, aty ku unë jam udhëheqëse, jo”, tha ajo.

Në rend të ditës për intervistim janë edhe Samka Drançolli, zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës, dhe Blerim Shabani, drejtor i Departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Të Ngjashme